Ngjela: Shkarkimi i Metës, preludi i reformës në drejtësi

OPINION


Spartak Ngjela

Në të vërtete kërkesa e 30 deputetëve të Parlamentit shqiptar për shkarkimin e Ilir Metës, kërkesë kjo e cila është pranuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe ka hyrë në procedurë, mund të quhet se është një pikë kyç në ecurinë e gjendjes reformuese të shtetit shqiptar.


Duhet ta shprehim që në fillim se shkarkimi i Metës është mbështetur në shkeljen kushtetuese për zhdekretimin e zgjedhjeve. Këtë zhdekretim ai e ka bërë nën presionin e Reformës në Drejtësi, e cila pritet që ta radhisë edhe atë me të akuzuarit e rëndësishëm të korrupsionit të lartë shtetëror.

Për pasojë, Meta ka qenë kundërshtari më i madh i kësaj reforme, bashkë me Berishën, Bashën dhe taborin e tyre. Dhe, na duhet ta theksojmë se, të tre këta, për faktin qe nuk e kalojnë dot akuzën për korrupsion që do t’iu vijë si korolar i Reformës në Drejtësi, i bënë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar atë reformë deri dhe me destabilizim të Shqipërisë. Por tani kanë dështuar.

Kurse, akti i fundit i dështimit të tyre, ishte pikerisht zhdekretimi i zgjidhjeve të 30 qershorit.

Kur Meta zhdekretoi datën 30 qershor të këtij viti si datë për zgjedhjen e pushtetit vendor, në një kohë kur vetë ai e kishte dekretuar në limitin kushtetues të saj, mendoi se do t’i “vinte dërmën” Shqipërisë me revolucionin Berisha.

Por ndodhi e kundërta: Meta fundosi përfundimisht vetveten, dhe tani gjendet nën akuzë penale.

Por, është pikërisht kjo ecuri faktike, e cila e bën tani domosdoshmëri shkarkimin e Ilir Metës si president, dhe ngritjen e akuzës penale kundër tij përpara Gjykatës Kushtetuese.

E gjithë kjo që shprehëm, hapur na çon në konkluzionin se shkarkimi i Ilir Metës, me proces gjyqësor të nivelit të lartë, është preludi i aplikimit të reformës antikorrupsion në Shqipëri.

VI.

A do të shkojnë në shpronësim të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të shtetit shqiptar?

Korrupsioni i lartë shtetëror, në Shqipëri ka qenë dhe është ende një korrupsion kryeministror. Në një mënyrë apo në një tjetër dhe me ndonjë përjashtim, të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre 30 vjeteve të postkomunizmit, kanë qenë të korruptuara deri në palcë.

Korrupsioni shqiptar i këtyre viteve është krijuesi direkt i varfërisë shqiptare, dhe i ngritjes së një shtrese shoqërore të pasuruar padrejtësisht deri në ekstrem. Kjo shtresë, në fakt, ka grabitur shtetin shqiptar dhe të gjithë shqiptarët.

Kjo është e vërteta e hidhur e postkomunizmit shqiptar.

Si pasojë e këtij fenomeni makabër dhe deri në ekstrem antishoqëroror, kjo shtresë keqbërësish antishoqërororë tani disponon të gjithë pasurinë shqiptare: ajo jep dhe heq koncesione të burimeve natyrore të Shqipërisë, sipas interesit dhe përfitimit të vet material; ndërhyn në treg me klientelën e vet deri dhe të inkriminuar, për të vijuar pasurimin e saj të paligjshëm me të gjitha mjetet, deri te vrasja.

Familjarët e krerëve të kësaj korporate korruptive kanë shtënë në dorë mijëra hektarë tokë bujqësore, pyje, miniera, porte; kanë privatizuar për vete ose për fisin e tyre pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar; kanë depozituar nëpër bankat e huaja dhe nëpër banka offshore rreth 5 miliardë dollarë; kanë investuar paratë e grabitura nëpër bursat perëndimore dhe kanë investuar në ndërtime në vendet perëndimore; kanë akses në vetë krimin ndërkombëtar të pastrimit të parasë dhe të trafikimit të narkotikut.

Ja, kjo është tabloja e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Dhe pyetjes sonë se, a do t’ia dalë reforma shqiptare që ta konfiskojë të gjithë këtë pasuri të grabitur nga korrupsioni? Sot i përgjigjemi: po, e gjithë kjo pasuri do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shqiptarëve.

Vetë politika amerikane që po e drejton këtë reformë, në raste të veçanta, e ka shprehur këtë, por tani që ka filluar realisht aplikimi i Reformës në Drejtësi, duhet të jetë më e drejpërdrejtë.

Është mirë që, politika amerikane, faktet që ka për këtë çështje, t’ua ekspozojë shqiptarëve të cilët sigurisht që e njohin këtë tablo makabër, por nuk kanë ende besim se këta dinozaurë të korrupsionit shqiptar do të shpronësohen me gjithësej.

Vll.

Si do të vijojë reforma për likujdimin e krimit të organizuara në Shqipëri?

E gjithë tabloja e më sipërme, e cila e tregoi aspektin e përgjithshëm të “aksionit” korruptiv shqiptar në 30 vjet postkomunizëm në Shqipëri, ka sjellë me vete një specifikë: forcimin e krimit të organizuar.

Na duhet të theksojmë që në fillim se, krimi i organizuar në Shqipëri ende nuk është në nivelet e një dominance të mirëorganizuar profesionalisht, por e gjithë forca e tij qëndron në dy ingredientë thelbësorë: te korrupsioni i pushtetit gjyqësor, dhe te korrupsion i lartë shteteror. Si pasojë e kësaj, duhet të pranojmë se me likuidimin e korrupsionit të pushtetit gjyqësor dhe, me likuidimin edhe të korrupsionit të lartë shtetëror, krimi i organizuar do të mbetet jetim; domethënë pa mbrojtje: pa mbrojtjen e pushtetit gjyqësor dhe pa mbrojtjen e politikës së lartë shqiptare.

Prandaj, sipas ecurisë së këtij procesi, është e kuptueshme se, të dy aspektet kriminalë të shoqërisë shqiptare, edhe korrupsioni i lartë shtetëror, edhe krimi i organizuar, do të likuidohen bashkë dhe paralel në të njëjtin proces goditës. Sepse, po të shihet me vëmendje, pikërisht kjo diktohet në të gjithë pjesën ligjore e substanciale të Reformës në Drejtësi.

Në fillim reforma ka nisur me likuidimin e korrupsionit në pushtetin gjyqësor; me ristrukturimin e pavarësisë së plotë të këtij pushteti; dhe në vijim: me gjykimin dhe likuidimin e korrupsionit të lartë shtetëror. Pa ngritjen e një pushteti të ri gjyqësor, nuk mund të luftohej as korrupsioni dhe as krimi i organizuar.

VIII.

A ka shpresë se do të vendoset drejtësia në Shqipëri?

Po, ajo do të vendoset. Padrejtësia ka qenë vuajtja shekullore e shqiptarëve. Erdhi më në fund koha që edhe shqiptarët të kenë drejtësi.

Por, me këtë rast na duhet të theksojmë se, vendosja e drejtësisë është proces. Dhe ky proces ka tani tre vjet që ka nisur në Shqupëri.

Aktualisht, nën survejimin ndërkombëtar po likuidohet korrupsioni në gjykatë dhe në prokurori, i cili do të vijojë deri në likuidimin e plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Por, paralel me këtë ka dalë dhe po aplikohet legjislacioni i ri; i cili nuk i jep më fare akses politikës në pushtetin gjyqësor.

Veç kësaj, kontrolli i prokurorëve dhe gjyqtarë do të jetë drastik dhe shumë i thellë për të ardhmen e afërt. Këtë e garanton ligji i ri i miratuar tashmë, por edhe kontrolli ndërkombëtar.

Duhet ta dimë që drejtësia e plotë në një vend vjen atëherë kur gjyqtarët dhe prokurorët kanë fituar koshiencën e ligjit. Kurse koshienca e ligjit vjen atëherë kur gjyqtari e di se ai vet është subjekt i ligjit.

Në këto çaste historike korruptive gjyqtari shqiptar, në një përqindje të lartë, ka qenë subjekt i parasë dhe jo subjekt i ligjit.

Atëherë, logjika është e thjeshtë: gjyqtari dhe prokurori shqiptar, me patjetër, këtej e tutje, duhet të jetë subjekt i ligjit. Dhe në këtë gjendje të re, gjyqësori shqiptar do të vendoset domosdoshmërisht brenda kësaj devize që gjyqtari dhe prokurori do të kalojë për të qenë: nga subjekt i parasë që është sot, te subjekt i ligjit që do të jetë nesër. Dhe kjo do të bëhet me anë të forcës së ligjit dhe kontrollit të rreptë ndërkombëtar.

Duhet të kuptohemi se, koshienca e ligjit vendoset në një shoqëri duke kaluar nga frika kundrejt ligjit, te koshienca apo ndërgjegjja shoqërore e ligjit. Këtë na ka mësuar qytetërimi perëndimor. Dhe sigurisht që kështu, në këtë proces, do të ecë edhe shoqëria shqiptare, sepse ky është vetë procesi i vendosjes së drejtësisë nëpërmjet ligjit, kur ligji është i barabartë për të gjithë.

Sot ka ardhur bash koha që edhe shqiptarët do të mund të fillojnë e të jetojnë me drejtësinë e tyre shoqërore.




Skip to toolbar