Luciano Moggi, vlerësim të lartë për ish-“yllin” shqiptar Igli Tare

Më të fundit


Nuk është se nuk i ka marrë dekoratat.

Igli Tare është vlerësuar më se një herë si drejtori sportiv i vitit në Serie A, dhe emrin e tij e sjell në vëmendje të tifozëve dhe klubeve një njeri që duhet cilësuar si “legjendë e njollosur”. Ky është Luciano Moggi, ish-drejtori i lartë i Juventus, më parë te Napoli, dhe madje edhe tek Partizani ynë në Tiranë.


I njohur në Itali si “Luçiano i Madh”, ai i jep një këshillë Napolit. “Më përpara sesa të mendojë për tregun e futbollit, duhet të marrë një drejtor i vërtetë”, shkruajti ai në blogun në të përditshmen “Libero”, duke theksuar se ai kështu bënte kur ishte tek Juventusi, ndërsa thekson se njeriu ideal do të ishte Igli Tare.

Në qershor, Moggi e cilësoi ish-kapitenin kuqezi si njëri nga menaxherët më të mirë në futbollin italian, dhe në intervistën për të përditshmen “Libero”, e quajti një lajm të keq largimin e tij nga Lacio.

Më pas, në shtator, i përjashtuari nga futbolli parashikoi me të drejtë se Lacio nuk mund të dilte në sërish në vendin e dytë në Serie A pas dorëheqjes së Tares dhe largimit të Milinkovic-Savic.

Që në nëntor, ish-drejtori juventin u shpreh për Radion CRC të Napolit se klubi napolitan duhej të kishte marrë Taren si drejtues sportiv, që kur shqiptari dha dorëheqjen nga Lazio. Pra këshilla më e fundit në “blogun” e tij në “Libero” është përsëritje e këshillës së disa muajve më parë.

Tare ishte menaxher i ekipit te Lazio në 2008-2009, dhe pastaj për 14 vjet ishte Drejtor sportiv i kryeqytetasve, duke u dalluar me transferimet e duke ndihmuar skuadrën të fitonte tre kupa të Italisë, tre superkupa të Italisë dhe që të rikthehej në Champions pas 13 viteve. /abcnews.al




Skip to toolbar