Lufta në Gaza, VOA: Izraeli mund të sigurojë njohjen nga Arabia Saudite nëse arrin armëpushim

BOTA


Shtetet e Bashkuara po punojnë për një plan për lirimin e pengjeve dhe arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, nëse arrihet, kjo mund të ndihmojë në vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Plani vjen mes tensioneve midis SHBA-së dhe Izraelit mbi këmbënguljen e kryeministrit Benjamin Netanyahu se ai do të sulmojë Rafahun, qytetin në skajin jugor të Rripit të Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës së fundit në Izrael konfirmoi se qeveria e këtij vendi i është përgjigjur kërkesave amerikane për të rritur sasinë e ndihmave që arrijnë në Gazë. Ai megjithatë e pranoi se ka ende mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Izraelit rreth synimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të sulmuar Rafahun, në skajin jugor të Gazës.


“Ne nuk do të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah, në mungesë të një plani për t’u siguruar që civilët të mos dëmtohen. Ne nuk kemi parë ende një plan të tillë. Sipas gjykimit tonë, mënyra më e mirë për t’u marrë me Hamasin nuk është përmes një operacioni të madh ushtarak në Rafah”, thotë z. Blinken.

Kryeministri Netanyahu këmbëngul se Izraeli duhet të ndërhyjë në Rafah për të goditur katër batalionet e fundit të Hamasit, ku edhe besohet se fshihet Yahya Sinwari, udhëheqësi i Hamasit në Gazë. Kjo do të shtonte trysninë për lirimin e pengjeve. Presidenti Biden e ka bërë të qartë se është kundër një operacioni në Rafah nëse Izraeli nuk mund të garantojë sigurinë e më shumë se një milion civilëve të strehuar atje.

“Biden thotë se Izraeli nuk duhet të shkojë në Rafah, qytet në kufirin midis Izraelit dhe Egjiptit dhe e vetmja strehë e mbetur për Hamasin. Por, kërcënimi për të shkuar në Rafah është mënyra e vetme për të bindur Yahya Sinwarin, kreun e Hamasit, të pranojë marrëveshjen për lirimin e pengjeve”, thotë Eytan Gilboa, profesor i shkencave politike në Universitetin ‘Bar Ilan’.

Një armëpushim në luftën e Gazës shihet gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara si një parakusht për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Kjo marrëveshje normalizimi u pezullua me shpërthimin e luftës midis Izraelit dhe Hamasit, por Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje intensive për ta ringjallur atë.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite mund të ketë ndikim transformues në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo do të forconte aleatët e Amerikës dhe do të dobësonte armiqtë e Shteteve të Bashkuara, kryesisht Iranin dhe aleatët e tij”, thotë Jonathan Rynhold, ekspert për marrëdhëniet SHBA-Izrael në Universitetin ‘Bar Ilan’.

Profesori Rynhold thotë se Izraeli do të përfitonte nga njohja e Arabisë Saudite për të zbutur qëndrimet e ashpra ndërkombëtare.

“Izraeli do të forconte shumë pozicionet e tij diplomatike dhe ushtarake. Në aspektin diplomatik kjo do ta bënte shumë më të vështirë për ata që kërkojnë të minojnë legjitimitetin e Izraelit përmes bojkotit dhe sanksioneve, nëse shteti më prestigjioz mysliman në rajon dhe ndoshta në botë, normalizon marrëdhëniet e tij me Izraelin”, thotë profesor Rynhold.

Disa njoftime në Izrael thonë se Arabia Saudite është aq e interesuar për arritjen e një pakti mbrojtës me Shtetet e Bashkuara, saqë mund ’ t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin edhe pa një armëpushim në Gazë./VOA




Skip to toolbar