Derbi i Madridit përfundoi pa fitues. Atletico dhe Real u ndanë në paqe në sfidën e javës së 7-të të La Ligas. Skuadra e Simeones përballoi presionin e skuadrës së Zidane, që kontrolloi lojën dhe pati rastet më të mëdha të shënimit, por asnjë nga “Galaktikët” nuk arriti të gjente rrjetën. Megjithatë, pika kënaq më shumë Atletico Madrid që bën një tjetër hap para në kampionat, duke u ngjitur në vendin e 3-të me 14 pikë, një më pak se Real që kryeson renditjen me 15 pikë.
Pa Messin në fushën e lojës, Barcelona arriti të marrë tre pikë në fushën e Getafe, duke u afruar me vendet e kreut. Suarez ka shënuar një gol spektakolar, pas një asisti të shkëlqyer të Ter Stegen. Portieri i Barçës bëri një dalje jashtë zone duke pritur një top, të cilin e pasoi direkt te Suarez në të 41`. Uruguaiani e kaloi topin sipër kokës së portierit kundërshtar dhe zhbllokoi sfidën.
Më pas ishte radha e Junior, që gjeti rrjetën 4 minuta pasi nisi pjesa e dytë e lojës, duke vulosur shifrat e takimit në 0-2 për Barcelonën. Me fitoren e të shtunës, Barça ngjitet në vendin e katërt në renditjen e La Ligas me 13 pikë, dy më pak se Real Madrid që kryeson renditjen. Ndërkohë, katalanasit po vuajnë shumë këtë fillim sezoni, pasi ylli kryesor i skuadrës, Lionel Messi është i dëmtuar.