Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e të shtunës në qytetin e Lushnjës. Një fugon tip “Volkswagen” me targa AA 001 FT, ka dalë nga rruga dhe ka “fluturuar” mbi lulishte, që ishte e populluar me njerëz.
Për shkak të shpejtësisë së madhe por edhe gjendjes së dehur të drejtuesit, fugoni duke u përplasur me bordurën 60 cm dhe është futur në lulishte duke marrë para njerëzit dhe thyer disa pemë.
Një nga personat ka përfunduar poshtë fugonit duke humbur jetën, ndërsa 2 të tjerë janë plagosur rëndë. Viktimë ka mbetur shtetasja Teuta Alickolli, 50 vjeçe, e cila ishte duke qëndruar me të birin dhe bashkëshortin e saj në lulishte. Ajo është transportuar menjëherë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Të plagosur kanë mbetur bashkëshorti me të birin, të cilët kanë marrë plagë të rënda por janë jashtë rreziku për jetën. Të plagosur janë bashkëshorti Alfred Alickolli 54-vjeç dhe djali Ani Aliçkolli 24-vjeç.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, një shtetas 22 vjeçar me inicialet A.H., i cili drejtonte në gjendje të dehur. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit.
Lulishtja ka qenë e mbushur me njerëz, por fatmirësisht nuk ka pasur lëndime serioze të tjera.