Makina me targa ruse, e vëllait të deputetes së LSI. Dyshimet e policisë

AKTUALITET


34 vjeçari Eldin Dergjini i cili u përfshi mbrëmjen e së mërkurës në një aksident pranë sheshit “Shqiponja” në Tiranë është vëllai i deputetes së LSI-së, Ambra Borova, por ka ndërruar mbiemrin për shkak të precedentëve penalë.

Deklaratat e dyshimta të tij që nuk përputhen me gjetjet e policisë, kanë ngritur dyshimin tek “blutë” se në fakt aksidenti mund të ketë qenë një atentat i mbetur në tentativë. 34-vjeçari Eldin Dergjini, nga Shkodra, banues në Tiranë, mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 22:00 teksa udhëtonte me automjet në afërsi të sheshit “Shqiponja”, doli nga rruga duke u përmbysur.

Çështja mori vëmendjen e medias dhe të policisë për shkak të makinës së blinduar luksoze vlera e të cilit shkon diku mes shifrave 150-250 mijë euro dhe që kishte targa ruse. Po kështu policia kur shkoi në vendngjarje nuk e gjeti aty shoferin Dergjini.

Me marrjen e dëshmisë së tij në polici nisën të dalin në dritë detajet e para.

Eldin Dergjini ka deklaruar se dikush e ka ndjekur nga mbrapa me automjet dhe i ka goditur makinën çka solli edhe daljen nga rruga. “Kam qenë duke ecur me makinë me shpejtësi. Vura re që kisha një automjet pas, por nuk e di nëse po më ndiqte. Ajo makinë më goditi nga pas. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime u batua në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi”, është shprehur Dergjini. Aktualisht 34-vjeçari ndodhet në spital, jashtë çdo rreziku për jetën me dëmtime të lehta.

Ndërkohë që policia dyshon se ndaj tij është kryer një atentat.

Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedentë të mëparshme penale. Ai ka qenë i dënuar në Trieste të Italisë për trafik droge. Policia dyshon se Eldin Dergjini i ka shpëtuar një atentati gjatë aksidentit ditën e djeshme. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën e aksidentit, për të verifikuar nëse realisht ka një makinë e cila e goditur të riun.



Skip to toolbar