Makina përplaset me tifozë në Liverpul, 27 persona dërgohen në spital

Më të fundit


Një veturë është përplasur me një turmë tifozësh të klubit të futbollit, Liverpool FC, gjatë një parade për festimin e titullit të kampionit të ligës elitare angleze, të hënën, duke bërë që 27 persona të dërgohen në spital, prej të cilëve dy me lëndime të rënda.

Policia ka thënë se nuk beson se incidenti i 26 majit në qytetin e Liverpulit ka të bëjë me terrorizëm, raporton Reuters.

Autoritetet kanë thënë se është arrestuar një “burrë i bardhë britanik, 53-vjeçar, nga zona e Liverpulit”, i cili, besojnë ata, ishte ngasësi i automjetit që goditi një grup të madh mbështetësish që po festonin në qytetin veriperëndimor të Anglisë.

Njëzet njerëz u trajtuan nga mjekët në vendin e ngjarjes. Zyrtarët e ambulancës thanë se nga 27 të dërguarit në spital, katër janë fëmijë.

Një fëmijë dhe një i rritur ndodhen në gjendje të rëndë, njoftuan autoritetet shëndetësore.

Katër persona, të ngujuar nën automjet, u desh të shpëtoheshin nga zjarrfikësit.

Futbollistët kampionë duke lëvizur nëpër qytetin e Liverpulit me autobus të hapur.
Futbollistët kampionë duke lëvizur nëpër qytetin e Liverpulit me autobus të hapur.

Videoxhirimet e publikuara në mediat sociale shfaqën njerëzit duke u hedhur në ajër teksa automjeti u përplas me turmën.

Kur vetura u ndalua, tifozët e zemëruar u mblodhën rreth saj dhe filluan t’ia thyenin xhamat, teksa oficerët policorë ndërhynë për të mos i lejuar ata t’i afroheshin ngasësit të saj.

“Ne besojmë se ky është një incident i izoluar, dhe aktualisht nuk po e kërkojmë askënd tjetër në lidhje me të. Ky incident nuk po trajtohet si terrorizëm”, tha zëvendësshefja e përkohshme e policisë në Liverpul, Jenny Sims.

Qindra mijëra tifozë u mblodhën për ta shikuar ekipin e Liverpool FC dhe stafin e tij duke lëvizur me një autobus të hapur nëpër qendër të qytetit, me trofeun e Premier League.

Një dëshimtar tha se incidenti ndodhi rreth 10 minuta pasi autobusi me lojtarët e ekipit kapërceu zonën, raportoi BBC.

“Ndaj dhimbjen me të gjithë të lënduarit apo të prekurit”, shkroi kryeministri britanik, Keir Starmer, në platformën X, duke i quajtur skenat “të tmerrshme”.

Ndërkaq, klubi i futbollit shkroi në X se ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Policinë.

“Po lutemi për të gjithë ata që janë prekur nga ky incident serioz”, tha Liverpool FC.



Skip to toolbar