Një person është arrestuar dhe dy të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë, mes tyre një doganier, të akuzuar për kontrabandim të mallrave. Aksioni i koduar “Zëmblaku” u zhvillua në doganën e Kapshticës. Mallrat kontrabandë lëviznin me linjat e autobusëve Athinë-Shqipëri dhe Turqi-Shqipëri.
Në pranga ra shtetasi N.V, 42 vjeç, drejtuesi autobusi, ndërsa në gjendje të lirë po hetohen shtetasit N.B, 58 vjeç, doganier pranë Doganës së Kapshticës dhe E.Sh, 22 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, në afërsi të fshatit Zëmblak, në mjetin autobus tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V., si edhe në mjetin autobus tip “Benz” në të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi E.Sh., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 50 kg midhje (shpuese shkëmbi), produkt i ndaluar që prej vitit 2013, për të hyrë dhe për t’u tregtuar në Republikën e Shqipërisë.
–medikamente, veshje dhe pajisje të ndryshme, të cilat shtetasit e mësipërm dyshohet se i kanë kaluar kontrabandë, pa i deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë.
Doganieri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në autobus, duke lejura kalimin e mallrave kontrabandë.