Nga Mero Baze
Në Teatrin antik, kur nuk gjenin zgjidhje reale të tragjedisë, zbrisnin Zotin në skenë dhe kjo me vonë u quajt “Deus ex machina” .
Tragjedia e PD-së teatrore, që në fakt është komedi për shumë të tjerë, sa herë që nuk gjejnë zgjidhje për tragjedinë e tyre e mbyllin tragjedinë duke thirrur “Basha, Basha” si një “Deus ex machina” për kryetarin, dmth, aktorin kryesor të tragjikomedise së tyre.
Kjo skenë u përsërit sot në godinën e rrënuar të Teatrit Kombëtar ku pasi folën
Budina, Basha dhe ca te tjerë, anëtarë të panjohur të PD, teatri përfundoi me thirrjet, “Basha”, “Basha”…
Marrëveshja teatrale mes Lulzim Bashës dhe seksionit të kulturës të PD në ish Teatrin Kombëtar, do të vlente politikisht të konsumohej si një ide e Partisë Demokratike kur të vinte në pushtet, rreth cështjes së zhvillimit të kulturës në Shqipëri, nëse në të do të kishte ndonjë ide.
Por në fakt marrëveshja, jo vetëm që nuk ka ndonjë ide, por i ngjan një titulli egzekutiv, nga ato që borxhlinjtë e këqinj, firmosin me huadhënësit, të tipit që “po nuk ma ktheve borxhin të marrë shtëpinë”.
Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje si një lider që nuk e besojnë, pa ja marrë me shkrim, atë që duan mbështetësit e tij. Është një rast i pashembullt i mungesës së besimit të mbështetësve tek kryetari, dhe një skenë tragjiokomike, ku ushtarët detyrojnë komandantin të firmos që nuk do ti tradhëtoj në luftë.
Në fakt është një poshtërim, që Lulzim Basha e meriton për mënyrën se si ka formuar identitetin e tij si politikan gënjeshtar. Duke tradhëtuar gjithmonë dhe të gjithë, dhe duke gënjyer sic ka pas thënë Ilir Meta, edhe kur e pyet për orën, Lulzim Basha sot më shumë se sa në rolin e garantit, ishte në rolin e të pabesushmit dhe gënjeshtarit, që nuk i besojnë të vetët.
Kjo nuk ka të bëj fare e tekstin e marrveshjes, pasi ai është një problem më vete, ku autorët para se ti gënjej Basha gënjejnë veten.
Ajo që ngjit në publik, është se disa punonjës teatri që mbështesin PD dhe që kanë një kontribut politik për të bërë betejë kundër planit të qeverisë për teatrin e ri, nënshkruajnë akt noterial me kryetarin e opozitës, pasi nuk i besojnë më paktit moral me opozitën dhe kryetarin e saj.
Kështu si e ka nisur Lulzim Basha duhet të nënshkruaj kontratë me fermerët që ta besojnë se do ndryshoj skemën e rimbursimeve, kontratë me shoqatën e biznesit që do ul tvsh, kontratë me ndërtuesit, që do tu ul taksën e infrastrukturës, e kështu me rradhë. Pastaj kontratë me kandidatët për deputëtë, që të mos i gënej më si më 2017, ku 5 vetëve u kishte premtuar “i dyti në Lezhë”.
Ky do të jetë rasti i parë në historinë e politikës botërore, ku shoqëria e trajton kryetarin e opozitës si një mashtrues dhe para se të bëj pazar me të, do një kontratë të nënshkruar.
Në një nga shfaqjet e “Rikardi i Tretë”, tragjedi e Shekspirit, tregojnë se një aktor që luan mbretin, thërret: një kal, për një kal fal gjithë mbretërinë”.
Një nga salla i thote me ironi: doni një gomar? Dhe aktori mbret i përgjigjet; po, ngjitu në skenë…
Lulzim Basha sot u ngjit në skenë, në mungesë të një kali për të cilën vuan opozita, i detyruar nga aktorët e vet. Dhe nënshkroi një marrëveshje teatrale, sic mund ta bëj një gomar.