Mbetën pa shtëpi nga tërmeti, 554 familje në Tiranë të hënën tërheqin bonusin e qirasë

AKTUALITET


Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të enjten listën me 554 përfituesit e bonusit të qirasë, të cilët mbetën pa strehë pasi u prekën nga tërmeti. Në një intervistë për News 24, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, tha se të hënën do të shpërndahen lekët për përfituesit.  “Është një punë e madhe që po finalizohet hap pas hapi. Dje ishte vetëm hapi i parë i bonusit të qirasë sa i përket 554 familjeve. Dhënia e bonusit, është proces zinxhir që nga dita e parë kur ndodhi tërmeti, me verifikimin. Janë 650 pallate dhe 3200 shtëpi. Inspektim do të thotë kalim pranë tyre, verikim në hallkat e para të procesit dhe nga ana tjetër cilat janë banesa që konsiderohen ta pabanueshme kalojnë në hallkën tjetër. Është një proces që vazhdon. Nuk është vetëm bonusi. Jemi dita-ditës pranë tyre”, deklaroi Seferi.

Më tej, ai sqaroi edhe shumën që do të përfitojnë familjet. Sipas Seferit, bonusi do të jepet në bazë të strukturës familjare. Ndërkohë, ai u bëri thirrje familjeve të gjejnë shtëpi me qira.  “Në bazë të vendimit të këshillit bashkiak dhe ndarë përkatësisht sepse jo çdo familje në bazë të strukturës së saj do marrë të njëjtën sasi lekësh. Të gjitha njësitë përthithin nevojat që kanë dhe përpunojnë dokumentacionin. Ditën e hënë të 554 aplikantët i kanë lekët në llogarinë e tyre. Sa i përket pjesës së gjetjes së banesës ndaj dhe unë bëj thirrje, mos të humbin kohë, personat të cilët kanë marrë bonusin apo që e dinë që do marrin bonusin që do miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bahskiak, të shkojnë të gjejnë shtëpinë me qira”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë Tiranë.


Depozitat mbi taracat e pallateve janë një shqetësim për banorët e Tiranës. Pesha e tyre ndikon në strukturën e pallateve, ndaj Seferi u shpreh se ka nisur puna për heqjen e tyre nga pallatet. “Ka filluar puna për uljen e depozitave pranë kateve të para për të bërë të mundur lehtësimin e peshave. Është një problem në fokus të punës sonë, duke nisur nga pallatet që kanë shfaqur rrezikshmëri. Një gjendje emergjente që kërkon shumë fronte ka prioritet jeta dhe procese të tjera. Ka filluar çmontimi i depozitave, në qoftë se qytetarët sensibilizohen dhe e bëjnë dhe vetë aq më mirë por nga punonjësit e bashkisë ka nisur puna”, u shpreh Seferi.




Skip to toolbar