Mbledhja e grupit të PS, Balla: Ne do ta zgjedhim Avokatin e Popullit, me ose pa opozitën!

Më të fundit


Të hënën, më 13 tetor, grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet për të shqyrtuar ngritjen e dy komisioneve të posaçme: një për Reformën Zgjedhore dhe një tjetër për Reformën Administrative Territoriale. 

Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, prezantoi strukturën e propozuar për këto komisione, ku sipas tij, shumica e anëtarëve do t’i takojë Partisë Socialiste. 

 “Për komisionin e reformës zgjedhore kemi sugjeruar një variant të parë përbërje me 17 anëtarë. Nëntë nga PS dhe tetë nga grupet e tjera parlamentare. Jemi të hapur për një diskutim me opozitën, sa i përket dhe referencave të kaluara. Jemi të gatshëm ta ruajmë këtë traditë, por rëndësi ka që të ngrihet komisioni i Posaçëm. 

Kam kërkuar të ngrihet një draft sa më shpejt për financimin e partive politike, një nga detyrat që na ka lënë Komisioni Europian. 

Ndërsa për komisionin e reformës territoriale, sipas praktikës së mëparshme, drejtimin e merr grupi më i madh parlamentar me një kryetar dhe një zëvendëskryetar,” u shpreh Balla. 

“Ne do ta zgjedhim avokatin e popullit, me ose pa opozitën!” 

Balla komentoi edhe shpalljen e vakancës për Avokatin e Popullit, duke theksuar nevojën për një proces gjithëpërfshirës dhe larg ndikimeve politike. Ai shprehu dëshirën që ky pozicion të plotësohet brenda vitit, përmes një marrëveshjeje me opozitën. Por shtoi se zgjedhja e Avokatit të Popullit do bëhet, me apo pa opozitën. 

“Përpjekjet e shumicës parlamentare tanimë në kufijtë e 3/5 është që t’i japim Shqipërisë një avokat populli edhe në vizion Shqipëria 2023, për t’i dhënë avokat popullit dikë që përmbush profesionalisht parashikimet që ka kushtetua për avokatin dhe  jo anëtar të një partie politike, por një përfaqësues i shoqërisë civile me kontribute në fushën sociale. I bëj thirrje të gjithëve kush përmbush kriteret për të aplikuar. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën ta mbajnë peng zgjedhjet e avokatit të popullit. Të ndërtojmë së bashku një proces. Jemi këtu në këtë situatë 3 vite me vonesë për zgjedhjet e avokatit të popullit për shkak të mungesës së dëshirës për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Nuk e kanë më as mbajtjen peng se nëse opozita nuk do të bëhet pjesë, ne jemi të detyruar të zgjedhim avokatin e popullit. Shpresoj që të zgjidhet brenda krishtlindjeve. Ne do t’i japim Shqipërisë avokatin e popullit me shpresën që do ti japim një personalitet në fushën e të drejtave të njeriut”, tha Balla.



Skip to toolbar