Mbretëria e Bashkuar do të trajnojë gjyqtarët shqiptarë, program edhe për modernizimin e Policisë së Shtetit

AKTUALITET


Qeveria britanike thotë se gjatë vizitës së Lord David Cameron në Tiranë, do të shpallet edhe se kanë nisur bisedimet mes përfaqësuesve të sistemit gjyqësor britanik dhe atij shqiptar për të ndërtuar një program për zhvillimin e gjyqtarëve në vendin tonë.

Sipas njoftimit, ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar do të trajnojnë gjyqtarë shqiptarë, në mënyrë që ata të mësojnë praktikat më të mira dhe të fitojnë përvojë në luftën kundër pastrimit të parave, rikuperimit të aseteve dhe korrupsionit.


Sekretari i Jashtëm britanik do të shpallë gjithashtu edhe një program të ri për të mbështetur Policinë e Shtetit në një rrugë reformimi dhe modernizimi, në mënyrë që të godasë grupet kriminale që kërcënojnë jetët e shqiptarëve dhe britanikëve përmes trafikimit dhe tregtimit të drogave.

“Të dyja këto nisma do të pajisin Shqipërinë me mjetet më të mira të mundshme për të luftuar bandat që inkurajojnë njerëzit të rrezikojnë jetët e tyre për të kaluar La Manshin dhe për të furnizuar trafikun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Një sistem më i fortë gjyqësor dhe një policie më e fortë në Shqipëri do ta bëjë Shqipërinë më të sigurt dhe një vend më të përparuar”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Mbretëria e Bashkuar thotë se ka investuar deri tani 1,6 milionë paund për të vendosur kamera sigurie në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës me teknologji për regjistrimin e targave të makinave, si dhe përdorimin e dronëve për të luftuar emigracionin e paligjshëm.




Skip to toolbar