“Më duket sikur kam dy vite këtu”, Ambasadori i ri italian: Të hapen negociatat

POLITIKË


“Italia është gjithmonë në favor të hapjes së negociatave dhe po punon në Bruksel për të bindur skeptikët që Shqipërisë t’i hapen negociatat në mars”. Kjo ishte deklarata e ambasadorit të ri të Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci gjatë daljes së tij të parë pas marrjes së detyrës. Ambasadori Bucci vlerësoi marrjen e kryesimit të OSBE duke e theksuar 2020 si një vit të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa shtoi se integrimi do të përmirësonte legjislacionin e Shqipërisë në shumë fusha.

“Ky është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, ka presidencën e OSBE dhe ne e kemi ndihmuar ta përballojë. Ne presim që në pranverë që të hapen negociatat për Shqipërinë. Italia është gjithmonë në favor të hapjes së negociatave. Ne po punojmë në Bruksel që në mars të marrim një vendim pozitiv për Shqipërisë. Nëse hapen negociatat do të ketë përmirësim legjislacioni të Shqipërisë , vendi futet në rregulla të reja. Ne e mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt integrimit”, tha Bucci.

Ambasadori italian foli gjatë tryezës së organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Konfindustrisë në Shqipëri duke theksuar lidhjen e fortë dhe marrëdhëniet e veçanta që i karakterizon dy vendet tona. Bucci tha se edhe pse ka vetëm pak kohë në Tiranë, ai ndihet sikur ka kaluar një kohë të mirë këtu falë dhe takimeve që ka zhvilluar deri më tani me qeverinë dhe presidentin. Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Bucci tha se Italia është vendi që Shqipëria ka importet dhe eksportet më të mëdha.

“Kam dy javë që kam marrë detyrën dhe më duket sikur kam dy vite që jam këtu, pasi kam takuar dy herë me gjysmën e qeverisë dhe presidentin. Italia është e veçantë për Shqipërinë dhe anasjelltas. Na lidhin marrëdhëniet kulturore, gjeografike dhe historike. Rreth 130 sipërmarrje bëjnë pjesë në Shqipëri kemi veprimtari tepër të madhe në Shqipëri. Jemi vendi kryesor me të cilin Shqipëria ka import dhe eksport më të madh”, tha Bucci.

Fabrizio Bucci është ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri ku zëvendëson ish ambasadorin Alberto Cutillo, i cili kishte qëndruar në këtë detyrë që prej nëntorit të 2015.



Skip to toolbar