“Më shikoni në sy”, Rama iu drejtohet shqiptarëve: S’kam rënë nga qielli, por jam i racës së atyre që…

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi, për rreth 40 minuta ka folur për ngjarjet e vitit 2019 dhe pritshmëritë që kjo qeveri ka për 2020 për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Duke prekur tema të ndryshme, Rama foli edhe për veten e tij, ku nuk munguan batutat dhe autokritika, duke treguar se si di të qëndrojë afër shqiptarëve dhe të bëhet një me ta, ashtu si në situatën post tërmetit.

Rama u ka kërkuar shqiptarëve ta shohin në sy teksa ka folur për veten e tij, duke pranuar të metat e tij dhe deklaruar se nuk ka gabuar asnjëherë qëllimisht, por duke theksuar se gjithmonë ka bërë premtime që mund të realizoheshin, edhe pse jo gjithmonë në kohë, për shkak të vështirësive të ndryshme. Rama tha se “nuk është nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota por i racës së atyre që në politikë i ka futur ëndrra për ndryshim”, duke mos nguruar të hedh kunja politike për presidentin Meta, i cili vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit tha publikisht se “nuk është i racës së Gruevskit, por i racës së Avni Rustemit dhe Mic Sokolit”, gjatë një deklarate ku sulmonte Sorosin dhe ndërkombëtarët.


“Të dashur bashkëqytetarë duke qenë se i erdhi radha edhe prioritetit të fundit të vitit 2020, kërkoj të më shikoni në sy: dy fjalë për veten time. Nuk jam i rënë nga qielli, nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta, përkundrazi kam më shumë se ju, ndoshta sepse jam i gjatë. Nuk më ka thënë mendja se jam i pagabueshëm, probabilitetin e gabimit e kam më të madh se sa ju por asnjëherë nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm për të përfituar. Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua e di se nuk këmbëngul në një drejtim apo opinion të gabuar. I dëgjoj argumentet, kur janë bindëse tërhiqem, kam kërkuar dhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar, nuk më kujtohet se e ka bërë ndonjë paraardhësi im por nuk është ky metri me të cilin mat veten. Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë por në asnjë rast të vetëm nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet, për të kaluar radhën, kurrë. E para sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota por jam i racës së atyre që në politikë i ka futur ëndrra për ndryshim. Pse do duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë kur me forcën politike që udhëheq kundërshtarët mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa për të jetuar. Këtë detyrë që kam e jetoj si privilegjin më të madh që mund t’i jepet njeriut të udhëheq popullin e vet në një pjesë të rrugës së të ardhmes”, tha kryeministri Rama.

Gëzuar Vitin e Ri 2020!Ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja🙏Zoti e bekoftë Shqipërinë!🇦🇱

Gepostet von Edi Rama am Montag, 30. Dezember 2019



Skip to toolbar