Mero Baze: Përballja Luca–Boçi linçim politik, jo fizik

OPINION


Gjergj Luca nuk është një ëngjëll dhe as i lehtë për ta pasur mik, apo armik. Është një nga biznesmenët më të vjetër të këtyre tridhjetë viteve dhe më i madhi i industrisë së peshkut në vend. Nuk merret as me tendera nga fondet publike, as me ndërtime, as me trafiqe, por me prodhim ushqimi.

Është themelues i “Rozafës” dhe ka flotën më të madhe të peshkimit në vend. Tashmë është duke ndërtuar fabrikën e tretë të përpunimit të peshkut në Gramsh, pas asaj të Labinotit dhe Librazhdit.


Ai ka huqet e veta, ka stilin e vet të të bërit biznes, shpesh të rrëmujshëm, por plot ide dhe energji.

Historia e linçimit disa vjeçar politik të tij, në biznesin më të rëndësishëm të këtyre viteve të fundit në Labinot, ku mori një grumbull gërmadhash dhe krijoi mbi një mijë vende pune, është një nga shëmtitë e mëdha të Partisë Demokratike, një përpjekje për ta gjobitur dhe për ta poshtëruar, duke përdorur metoda nga më të ulëtat, vetëm pse ka hapur 2 mijë vende pune, dhe ata e konsiderojnë këtë si një vepër kundër opozitës në Qarkun e Elbasanit.

Ajo parti që i la ato gërmadha atje mes ferrave e gjarpërinjëve, sapo një biznesmen investon mbi 5 milionë euro dhe krijon një qytet peshku mes maleve, i nxjerr çdo ditë 20 protestues tek dera, duke i kërkuar pronat, a thua se investitori është hipoteka e qytetit.

Ajo parti që ka bërë ligjin për mbrojtjen e investimeve të mëdha dhe stimulimin e tyre duke ofruar pasuri publike të falimentuara, është e njëjta që ka tre vjet që ja nxin jetën duke përdorur Luçiano Boçin, duke dëshmuar se ç’mund të të bëjë kjo parti në pushtet, nëse nuk të ka klient të saj.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, dje ka ndodhur një ngjarje edhe më e shëmtuar. Deputeti Luçiano Boçi me katër badigardë, ka shkuar ta provokojë në lokalin ku biznesmeni drekonte. Dje u përpoq të hiqej si viktimë, por sot, kur pamjet filmike tregojnë skenën e shëmtuar, që badigardët mbanin Gjergj Lucën dhe ky e qëllonte, e kupton qartë që kemi të bëjmë me një skenar të pastër provokimi për të prodhuar një ngjarje të rëndë, e cila për fat nuk ndodhi.

Qershi mbi tortë është në fund marrja e telefonit të biznesmenit, me shpresë se aty do zbulonin “Kutinë e Pandorës”, të cilin, me sa di, nuk e ka kthyer akoma tek i zoti. Sa më shumë e vonon, aq më shumë e bën të rëndë fajin e tij.

Një parti që pretendon të vijë në pushtet dhe sidomos një deputet lokal që kërkon të bëhet deputet, nuk mund të demonstrojë një sjellje banditi mbi një biznesmen që ka të punësuar rreth 2 mijë vetë në zonën e tij, si askush tjetër.

Dymijë vetë janë dy mijë familje, dhe mesazhi që atyre u jep Partia Demokratike dhe Luçiano Boçi, është që “nëse vijmë në pushtet ju do jeni të papunë” dhe këtë biznesmen do ta shkatërrojmë.

Por mesazhi nuk shkon vetëm tek ato 2 mijë familje. Shkon dhe tek biznesmenë të tjerë, jo të afërt me PD, që e shikojnë këtë fushatë linçuese të këtij deputeti mbi këtë biznes, si një strategji për të poshtëruar dhe nënshtruar biznesin përmes pushtetit politik.

Përfytyro t’ia bënte Partia Socialiste këtë gjë kumbarit të Lulit nga Elbasani që i ka fal veturën, se çfarë mesazhi do jepte. Përkundrazi, atij i ka dhënë disa kontrata publike. Të fundit tek Unaza e Re, dhe jo për të blerë Lulin, por për t’u treguar që nuk ka preferenca politike me biznesin.

Në një qytet të varfër dhe plot halle siç është Elbasani, partia që është ortake me një bandë vrasësish në qytet dhe shkon e bën objekt sulmi, të vetmin biznesmen prodhues të Qarkut dhe të gjithë Shqipërisë, jep mesazhin më të gabuar për çdo biznes, për çdo të punësuar dhe për çdo qytetar.

Gjergj Luca nuk ka ndonjë rrezik fizik nga Luçiano Boçi, edhe pse u ndesh me paburrërinë e tij. As Luçiano Boçin nuk e gjen gjë fizikisht prej Gjergj Lucës, pavarësisht kacafytjeve të tilla.

Politika dhe biznesi nuk rrezikojnë njëri- tjetrin kur rrihen me grushta, por kur përdorin secili pushtetin e vet, për të linçuar tjetrin. Dhe në këtë rast, Partia Demokratike po përdor një deputet për të linçuar biznesin.

Për deputetin Luçiano Boçi, ky është një akt vetëvrasës, ndërsa për biznesmenin Gjergj Luca ky është një linçim politik, i mbështetur dhe nga kryelinçuesi i Shqipërisë, Sali Berisha.

Nuk është hera e parë që i ndodh. Në kohën kur PD ishte në pushtet pas 2005-s, këtij biznesmeni ja mbylli gjithë biznesin dhe e detyroi ta zhvendoste në Selanik në Greqi. Dhe bëhet fjalë për djalin e Ndrek Lucës dhe Mimika Lucës, dhe një stërnipi të Sami Frashërit prej gjakut të nënës.

Është rasti që Partia Demokratike të kërkojë ndjesë të thellë dhe të distancohet nga ky akt linçues ndaj biznesmenit. Por akoma më urgjente është që Prokuroria të nisë çështje penale ndaj këtij kandidati për deputet dhe ai të pezullohet nga gara, sipas ligjit të dekriminalizimit.

Shqipëria nuk ka nevojë për një deputet që të rrahë biznesmenët rrugëve, biznesmenë nga ata që prodhojnë dhe mbajnë mijëra familje me bukë. Politika duhet t’u përulet biznesmenëve të tillë, dhe jo t’i linçojë.

Ajo që ndodhi dje me Lucën ka vite që ka nisur. Me aq sa ka hequr, i ka të forta nervat dhe falë zotit nuk e kanë  lëshuar këtu e tre vjet, duke u marrë përditë me problemet që një parti në opozitë, i hap atij vetëm pse ai ka punësuar njerëz dhe ata i janë mirënjohës.

Dje thjesht ka dalë në sipërfaqe mllefi që ka grumbulluar kjo fushatë linçuese ndaj tij. Sa më shpejt që PD të reagojë dhe të kërkojë ndjesë për këtë fushatë linçuese, aq më pak pasoja politike do të ketë deri më 25 prill. Se për pasojat fizike, u pa që Don Luçiano është i fortë.




Skip to toolbar