Albi Xhunga: Pushteti mbi veten

OPINION


‘’Pushteti mbi veten është më i rëndësishëm se pushteti mbi të tjerët’’- Mark Aurel

Interpretimi më klasik i kësaj teorie është se nuk ka asnjë vlerë fuqia e pushtetit që ti ke mbi të tjerët, nëse ti nuk ke pushtet mbi veten tënde. Që të kesh pushtet mbi veten tënde do të thotë se ti je zot i vendimeve të tua dhe se pushteti që ti ushtron mbi të tjerët vjen nga ty, nga vullneti yt i pavarur, nga qënia jote si njeri i lirë. Kur ky pushtet nuk vjen nga ty, por nga të tretë që kanë pushtet mbi ty, atëherë nuk kemi të bëjmë me pushtet që ti ushtron mbi të tjerët, por me një lloj telekomandimi. Ti në këtë rast je fasada e pushtetit real. Ti je thjesht një kukull e prezantuar si njeri i pushtetshëm, por që fijet e së cilës i luan tjetërkush në prapaskenë.


Paradoksalisht, sa më shumë reforma në drejtësi përparon, aq më shumë sulmet ndaj saj shtohen. Sa më shumë produkt ajo jep, aq më shumë vihet në dukje ‘’dështimi’’ spektakolar i saj dhe mungesa e rezultateve. Sa më shumë kjo reformë i afrohet qëllimit final, aq më shumë shtohen thirrjet për përmbysjen e saj. Dhe më e bukura është se, ata që ngrenë më lart zërin për mungesë rezultatesh, janë pikërisht subjektet e saj, ‘’rezultatet’’ që opinioni publik pret.

Kur rezultatet e reformës bëhen të dukshme e të prekshme, si për shembull pretenca ndaj ish kryeprokurorit Llalla, gjyqtarë të burgosur, sekuestrime dhjetramilionë eurosh, etj, sulmet ndaj saj ashpërsohen edhe më. Së fundmi po sulmohet lideri i opozitës dhe sulmet vijnë pikërisht nga ata që e përkrahin mediatikisht në mënyrë konstante. Ai akuzohet si mashtrues, si frikacak, si hipokrit, vetëm e vetëm se po premton se maxhoranca e tij nesër (nëse fiton), jo vetëm që do t’i mbajë larg duart nga kjo reformë, por do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar ritmin e instalimit të plotë të saj.

Kjo reformë ka dy kundërshtarë kryesorë, lidershipin e korruptuar politik, çka është më se e kuptueshme, dhe, teoricienët mediatikë, një grup ‘’analistësh’’ që po luftojnë kundra saj edhe më fort se të korruptuarit e mëdhenj të politikës. Janë teoritë e tyre që e nxorrën opozitën nga Kuvendi. Ishte ideja e tyre bojkotimi i zgjedhjeve lokale. Nëse idetë e tyre ndonjëherë nuk duken të harmonizuara me lidershipin formal opozitar, këto ide kanë qenë dhe janë gjithmonë të sinkronizuara me lidershipin real të opozitës. Mbrojtja që i bëjnë shkëlqesisë së tij nëpër studio televizive për çështje që edhe nëna e tij do ta kishte të vështirë ta mbronte, është një nga shembujt më flagrantë që konfirmojnë sinkronizimin e tyre me lidershipin real opozitar. Kur ata që kishin fuqi reale të merrnin vendime të këtij kalibri, vendosën ta nxirrnin opozitën nga institucionet dhe të destabilizonin vendin, natyrisht që për këtë lëvizje ekstreme iu duhej edhe përkrahje mediatike. Si mund të realizohej kjo më mirë dhe të ishte më e besueshme sesa ideja se opozita nuk mund të shërbente si fasadë të hidhej fillimisht në opinionin publik nga analistë të pavarur ?

Sa realist është premtimi i Lulëzim Bashës ?

Këtu vijmë tek thënia e famshme e Mark Aurelit, perandorit të famshëm, filozof i stoicizmit. Kush më mirë se ai, nga froni më i lartë i pushtetit të kohës, do ta kuptonte rëndësinë që ka pushteti i njeriut mbi veten, i cili e bën nul pushtetin që njeriu ka mbi të tjerët ? Interpretimi më klasik i kësaj teorie është se nuk ka asnjë vlerë fuqia e pushtetit që ti ke mbi të tjerët nëse ti nuk ke pushtet mbi veten tënde. Që të kesh pushtet mbi veten tënde do të thotë se ti je zot i vendimeve të tua dhe se pushteti që ti ushtron mbi të tjerët vjen nga ty, nga vullneti yt i pavarur, nga qënia jote si njeri i lirë. Kur ky pushtet nuk vjen nga ty, por nga të tretë që kanë pushtet mbi ty, atëherë nuk kemi të bëjmë me pushtetin që ti ushtron mbi të tjerët, por me një lloj telekomandimi. Ti në këtë rast je fasada e pushtetit real. Ti je thjesht një kukull e prezantuar si njeri i pushtetshëm.

Që Lulëzim Basha të mbajë premtimin e tij (pa presion amerikan), do të duhej që së pari ai të ishte zot i vendimeve të tij. Të mos ishte as i influencuar, apo edhe më keq, i dirigjuar nga të tretë, e as të mos ishte peng i aktivitetit të tij në të kaluarën. Së paku dy akuza madhore rëndojnë mbi liderin e opozitës, vrasjet shtetërore të 21 janarit dhe abuzimi qindramilionësh mbi rrugën e kombit. Fakti që për asnjërën prej tyre nuk ka ende një verdikt gjyqësor, e bën Lulëzim Bashën target potencial të drejtësisë së re. Po t’i shtojmë kësaj edhe llogaritë e hapura të mentorit të tij politik me drejtësinë, që për shumëkënd dikton ende vendimet e kreut të PD-së, atëherë besueshmëria e këtij premtimi reduktohet ndjeshëm. Duke qenë se një nga strategjitë elektorale të mazhorancës është vënia në dukje e frikës së eksponentëve kryesorë opozitarë nga reforma në drejtësi dhe se kjo strategji ngjit për shkak të vetë deklarimeve publike të atyre që shihen si liderë realë të opozitës, kjo mund të jetë një lëvizje e Bashës për të ulur efektet elektorale të këtij fenomeni.
Opozita mund të jetë duke luajtur të famshmen lojë të policit të mirë, me Bashën pro reformë dhe policit të keq me Berishën e Metën anti-reformistë të betuar.

Nëse Basha e ka seriozisht këtë premtim, kjo e bën atë një bir të padenjë të pashait të madh, i cili ashtu si Aliu i Janinës luftoi deri në fund ndaj Portës së Lartë megjithë gjasat e pakta që kishte për triumf, lufton çdo ditë dëshpërimisht ndaj reformës, këtij investimi amerikan, megjithëse deri më sot ka korrur veç humbje. Në këtë rast Basha, nëse është i sinqertë, ashtu si bijtë e padenjë të pashait të madh shkuan e i ofruan kokën padishahut, do të shkojë të ulë qafën përpara sëpatës së drejtësisë së re.

Teoricienët e opozitës

Grupi i dytë anti-reformë është i përbërë prej atyre gazetarëve e analistëve që dikur bënin thirrje që opozita të digjte mandatet e të braktiste Kuvendin. Qëndrimi konstant i tyre kundra reformës tregon edhe motivimet e këtyre thirrjeve për bojkot.
Disa prej tyre kanë bërë thirrje për dhunë haptazi përgjatë vitit të protestave të opozitës. Një nga argumentet qe jepnin ishte se edhe viti i mbrapshtë 1997 na prodhoi një Shqipëri më të mirë. Argument që natyrisht nuk ka nevojë për koment.
Që këta analistë të studiove kryesore televizive të kenë bindje se strategjia e braktisjes së mandateve dhe zjarrvënia të jenë të dobishme për Shqipërinë… është pak e vështirë për t’u besuar. Po nga iu vjen motivimi ? Megjithëse aludimet e mundshme janë të shumta, ne nuk mund të kemi prova për t’i vërtetuar. Por me një vëzhgim të thjeshtë mund të konstatohet diçka. Këta janë gazetarë që posedojnë vila, që lëvizin me makina të shtrenjta, që vishen shik, që frekuentojnë vendet më të shtrenjta në Tiranë e që pshimet i bëjnë jashtë. Dimë që gazetaria nuk të bën aq të pasur. Natyrisht këtu duhen përjashtuar një grusht moderatorësh që kanë prej vitesh emisionet e tyre politike shumë të ndjekura e që janë paguar me paga shumë të larta, apo edhe me përqindje nga reklamat e që mund të justifikojnë çdo qindarkë të pasurisë së tyre me taksat që kanë paguar. Por grupi i mësipërm nuk bën pjesë në këtë kategori. Atëherë mos duhet të mendojmë se edhe këta i tremb drejtësia e re, sepse nuk justifikojnë dot pasuritë ? A mos duhet të mendojmë se kanë qenë në ‘’shërbim’’ për shumë kohë dhe nuk e kanë luksin ta braktisin anijen sot që po afrohet stuhia ? A mos duhet të mendojmë se janë pengje të ‘’shërbimeve’’ të tyre dhe se agallarët për të cilët kanë punuar sot i kërcënojnë se nëse ata bien do t’i marrin edhe këta me vete ?

Teoria e perandorit filozof, Mark Aurel, vlen jo vetëm për politikanët. Media konsiderohet si pushteti i katërt, pasi ajo influencon publikun. Pra edhe gazetari (analisti) duhet të jetë njeri i lirë që këtë pushtet që i jep profesioni ta ushtrojë ai vetë sipas bindjeve të tij. Nëse nuk është njeri i lirë, sepse në të kaluarën ka ngrënë diku një lugë çorbë të prishur (ka marrë para e privilegje për ‘’shërbimet’’ e tij), është i dënuar që këtë pushtet ta ushtrojë i telekomanduar. Edhe gazetari (analisti) në këtë rast është një kukull e prezantuar si njeri influent, por që fijet e së cilës luhen nga tjetërkush në prapaskenë




Skip to toolbar