Mero Baze: Si i ka kompleksuar opozitarët Veliaj me “vilën e pestë”?

OPINION



Erion Veliaj përsëriti sot se nuk do të firmosë leje për “vilën e pestë” të Kunatit të Lulzim Bashës.

Siç është e qartë, kjo është një deklaratë politikisht shumë  e rëndë, që në çdo rast do të shërbente për të kryqëzuar nga opozita një kryetar bashkie kaq të rëndësishëm.


Dhe nuk është deklaratë e thënë pa mendje, por e përsëritur. Pra tregon që Veliaj është gati të marrë kosto për të.

Por për çudi, opozita që proteston ndaj Veliajt dhe kur bën kënde lojërash dhe kur jep leje pallatesh, dhe kur bën koncerte, dhe kur zbukuron Tiranën, nuk ka reaguar.

Po të shikosh komentet që shoqërojnë një shkrim timin të djeshëm e shikon se më shumë ka dhe të majte të revoltuar me deklaratën e Veliajt se sa nga selia e opozitës.

Arsyeja duket se është më e rëndë se deklarata e Veliajt. Opozita është aq e kompleksuar nga ideja që kunati i Lulëzim Bashës po kërkon një leje për vilën e pestë sa është gati të heshtë për deklaratën e Veliajt dhe t’i japë atij mundësinë ta përsërisë si sfidë sa herë të ketë takim me organizatat e partisë.

Pra rëndësia që ka për opozitën vila e Kunatit të Lulëzim Bashës është më e rëndësishme se parimet e një opozite, e cila duhet të bëhet e besueshme duke mbrojtur shtetin ligjor dhe të drejtat bazike të qytetarëve.

Vetëm që vilat e Lulzim Bashës të mos jenë objekt debati, opozita bën sikur nuk e dëgjon Erion Veliajn që e kërcënon përmes një qëndrimi, i cili nëse shtrihet pastaj dhe tek qytetarët e tjerë, është një problem serioz. Por me sa duket jo aq serioz, sa të shqetësojë opozitën.

Për t’u dukur sikur nuk ka lidhje me vilat, Basha ka bërë një deklaratë se e ka çuar çështjen në SPAK, a thua se Erion Veliaj i ka vjedhur vilat.

SPAK heton për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, jo për gënjeshtrat e zyrtarëve të lartë. Për rastin në fjalë, Veliaj në rastin më të keq nuk i ka vjedhur ndonjë vilë, por i ka shtuar.

Kështu që çuarja në SPAK është një mënyrë që kjo çështje të mos sqarohet dhe të mos ketë një pastrim të kësaj historie.

Është njësoj siç po ndodh me kompleksimin që kanë nga deklaratat e Veliajt, të cilat në vend që t’i sulmonin dhe ta kthenin në betejë të drejtën e një qytetari për të aplikuar dhe zhvilluar pronën e vet, ulin kokën dhe bëjnë sikur nuk i tremben kërcënimit.

E dimë që Lulzim Basha i ka gjithë mundësitë ta marrë atë leje në rrugë ligjore dhe nëse e pengon Veliaj, por ai është në politikë për të dhënë siguri dhe shpresë tek qytetarët, jo për të dhënë siguri se nuk e pengon dot njeri për leje. Atë e dimë të gjithë. Madje dyshimet janë që jo vetëm lejet, por dhe paratë për lejet, ja jep pushteti.