Mero Baze: Vetëfundosja e fituesit, që harroi parimet

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka kërkuar për herë të tretë kryetarit të Vetvendosjes Albin Kurti, të marrë mandatin e kryeministrit të Kosovës,  pasi partia e tij, ka dal e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Albin Kurti ka refuzuar përsëri.


Dy herët e para ka reaguar, duke paraqitur arsyetime për mungesë kohe, ndërsa sot, Kurti ka caktuar një datë të mundëshme kur mund të ketë kohë të takoj Presidentin për këtë çështje.

Qëndrimi, në dukje kryeneç i Abin Kurtit, për të mos u paraqitur të marr mandatin e Kryeministrit, në fakt zbulon realisht pasigurinë e tij për tu bërë kryeminsitër.

I befasuar nga mbështetja pa kushte që LDK i dha për të zgjedhur pa marrëveshje Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, nga rradhët e Vetvendosjes, Albin Kurti është tani në mëshirën e kundërshtarëve të tij, pasi nuk e ka në dorë të shantazhoj për zgjedhje të parakohëshme, nëse nuk është dakord  LDK, dhe po ashtu nuk mund të diktoj më kushte për marrëveshje për formimin e qeverisë.

Ai thjeshtë ose duhet të formoj një qeveri pakice, vetëm me Vetvendosjen dhe të provojë të marrë mbështetje në Kuvend, siç mori për kryetarin e Kuvendit, ose të pranojë kushtet e LDK.

Pikërisht ky konfuzion, e ka rënduar pozitën e tij, dhe tani po tenton të bëj si i fort me Presidentin e Republikës, duke shmangur takimin për marrjen e mandatit edhe pse i takon me Kushtetutë.

Përpjekja e tij për të nervozuar Presidentin Thaçi, bazohet tek shpresa që Presidenti ta dekretojë atë edhe pa e takuar, siç i takon ta bëj, dhe pas asaj të pres 15 ditë që ky ti paraqes qeverinë kuvendit.

Nëse Thaçi e bën këtë, Kurti ka dy  rrugë, ose ti paraqes qeverinë për 15 ditë, ose ti kërkoj Gjykatës Kushtetuese ta interpretojë këtë dekret, pra ta vërë në dyshimin dekretimin e tij dhe të pres 60 ditë të tjera për përgjigje, me shpresë se gjatë këtyre gjashtëdhjetë ditëve, do të gjej gjuhën me LDK, ose do të vetshkarkohet.

Pra fare papritur politikani që premtoi se do të vinte në pushtet përmes parimeve, është bërë sinomin i taktikave dhe procedurave ligjore, për të shpëtuar përballjen me fatin e tij politik.

Deri më sot, biles deri dhe tek votimi i kryetarit të Kuvendit, ai mburrej që nuk negocion parimet dhe shkoi i vetëm me kandidat për kryetar Kuvendi. Tani që të nëjtën gjë mund ta bëj dhe për vete, është kthyer papritur nga parimor, në predator, nga njeri që lufton kompromiset, në politikan kulisash, nga njeri që ngjallte shpresë me Vet-Vendosjen, në një lider që premton Ri-Vendosjen e rregullave për veten e vet.

Mbi të gjitha, ka thyer mitin e tij si politikan që nuk i trembet syri të përballet me kundërshtarin, por që tani nuk guxon të përballet me Presidentin i cili thjesht do ti dorëzoj mandatin për tu bërë kryeministër.

Kjo tregon se të gjitha përballjet e tij, kanë qenë në funksion të ëndrrës së tij për kryeministër dhe ky këtë ditë nuk e pëbrallon dot, thjeshtë se është i pasigurt.

Nuk është turp të jesh i pasigurt, por turp është të bësh si parimor dhe i fort, kur je i i dobët, frikacak dhe kalkulant.

Nuk e di çfarë ka mbetur nga Vetvendosja në këtë histori, por i vetmi njeri që nuk po vendos dot më as për veten e vet, është Albin Kurti. Dhe kjo ngjan më shumë si Vetfundosje se sa Vetvendosje.




Skip to toolbar