Ernesto Valverde kishte lënë pushim Messi, Suarez & Co, ndërsa hodhi në fushë shumë lojtarë të rinj të Barcelonës në takimin e së shtunës ndaj Celta Vigo, të cilin katalanasit e humbën me rezultatin 2-0.
Gomez në minutën e 67′ ka zhbllokuar për vendasit, ndërsa Aspas ka shënuar me penallti golin e dytë në minutën e 88′, duke vulosur shifrat. Megjithatë, rezultati mund të ishte dhe më i thellë nëse vendasve nuk do u ishte anuluar një gol me VAR në minutën e 51′.
Lajmi i keq për trajnerin Valverde ka ardhur në minutën e 6-të të ndeshjes, kur Dembele ka qenë i detyruar të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi në kofshë, teksa sot francezi do të kryejë testet mjekësore.
Barcelona do të rikthehet përsëri në fushë të martën ku do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Liverpool, e vlefshme për gjysmëfinalen e dytë të Champions League, me ekipin blaugrana që vjen favorite në këtë takim pasi ka fituar ndeshjen e parë 3-0.