Meta ankohet, por KLD e tij, fajtore për vonesat

AKTUALITET


KLGJ ka dorëzuar në Kuvend raportin për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2017 kur drejtohej nga presidenti, Ilir Meta. Në raport thuhet se nën drejtimin e Metës KLD nuk ka vlerësuar profesionalisht gjyqtarët.

Vitin e kaluar ish-KLD ka vlerësuar vetëm 2 gjyqtarë, një numër shumë i ulët. “Neni 171, pika 1 e ligjit nr. 96/2016, parashikon se KLD duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit për periudhën 2007- 2012, bazuar në rregullat ekzistuese para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procesi i vlerësimit të gjyqtarëve mbeti vetëm në fazën fillestare. Aktualisht ka përfunduar vlerësimi vetëm për periudhën 2007-2009, ndërkohë që nga kjo periudhë e deri më sot kanë hyrë në sistem breza të tërë magjistratësh, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim profesional të veprimtarisë së tyre. Nga dokumentacioni që ndodhet pranë institucionit, konstatohet se ka përfunduar vlerësimi profesional dhe etik vetëm për 2 gjyqtarë gjatë vitit 2018”, thuhet në raport.

Në raport pasqyrohet numri i kërkesave të ardhura nga Ministria e Drejtësisë në ish-KLD për të marrë masa ndaj gjyqtarëve të kapur me shkelje, por këto kërkesa thuhet se janë anashkaluar. Ish-KLD është mjaftuar me masa shumë të lehta vetëm për 4 gjyqtarë. “Janë shqyrtuar kërkesat e ardhura përgjatë vitit 2017 dhe vitit 2018 nga ministri i Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve, dhe konkretisht janë marrë në shqyrtim dhe kanë përfunduar 16 procedime disiplinore për 16 gjyqtarë, me rezultatet e mëposhtme: 12 gjyqtarë rrëzohet kërkesa e MD dhe nuk propozohet masë tjetër; 3 gjyqtarë “Vërejtje publike”;1 gjyqtar “Vërejtje konfidenciale”, theksohet në raport.

Në raport gjithashtu bëhet e ditur se pavarësisht vakancave KLD ka transferuar vetëm një numër të vogël gjyqtarësh, duke krijuar probleme në sistemin e Drejtësisë.



Skip to toolbar