“Nuk menduam për zgjedhjet, por për gjeneratën e ardhshme”. Tirana qytet miqësor për fëmijët

AKTUALITET


Në Tiranë u zhvillua të premten konferenca ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët” ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, UNICEF e përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në fjalën e tij kryebashkiaku Veliaj renditi disa nga transformimet e Tiranës, për t’i shërbyer sa më shumë fëmijëve. Ai tha se pavarësisht se fëmijët nuk votojnë dhe nuk paguajnë taksa, ata e meritojnë të kenë një qytet miqësor me ta.

 “Sot 2/3 e kalamajve duan të bëhen kryetar bashkie. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që fëmijët kanë filluar të mendojnë që tani si funksionon pastrimi, si funksionon gjelbërimi, si funksionojnë kopshtet, shkollat, çerdhet. Jam shumë i lumtur sot që ia kemi mbërritur kësaj dite ku fëmijët janë bërë një epiqendër e jetës sonë publike dhe ashtu si në familjet tona i kemi sytë tek këta, ashtu si një familje e madhe në qytetin tonë gjithashtu i kemi kthyer sytë tek fëmijët. Në fillim fare më thoshin, more çe keni këtë fiksim te kalamajtë, kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa? Qartazi pse i kemi kaq të dhunshme politikat sot është shumë prej këtyre njerëzve kur kanë qenë fëmijë s’kanë pas fëmijëri dinjitoze dhe vijnë shumë idhnakë dhe shumë të dëshpëruar nga fëmijëria e tyre dhe vazhdojnë tërë jetën me të njëjtin hidhërim dhe me të njëjtin helm që nuk mbaron dhe është një cikël dhune që përsëritet në shoqërinë tonë. Argumenti ynë ishte vërtet fëmijët nuk paguajnë taksa dhe vërtet fëmijët nuk votojnë, por ndoshta duke investuar tani te fëmijët fillojmë për herë të parë të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por fillojmë të mendojmë pak për gjeneratën e ardhshme dhe të sigurohemi që ky cikël nuk përsëritet”, tha ai.


Veliaj theksoi se përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, dhe tashmë në të gjithë qytetin janë ndërtuar kënde të reja lojërash, që dikur ishin hapësira të zëna nga ndërtimet informale.




Skip to toolbar