Meta anulon zgjedhjet, Veliaj në fushatë, letër tiranasve: Votën më 30 qershor

AKTUALITET


E ndërsa presidenti Meta firmosi sot dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj vazhdon fushatën në kryeqytet. Ai i ka nisur sot një letër të personalizuar qytetarëve të Tiranës përmes të cilës kërkon votën për të vazhduar rrugën e nisur, ndërsa thekson se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.

“E dashur familje e Tiranës sonë! Me shumë përulësi më lejoni t’ju falenderoj për besimin dhe ndihmën tuaj në transformimin e Kryeqytetit në këto 4 vite të paharruara. Të gjithë së bashku, me punë, arritëm t’ia ndryshojmë faqen kryeqendrës së gjithë Shqipërisë! Sot Tirana gëlon: Nga sheshi “Skënderbej”, tek “Bulevardi i Ri”, “Pazari i Ri”, tek “Amfiteatri i Liqenit”, “Parku Olimpik”, “Reja” – qyteti është plot e përplot me aktivitete e energji. Sot Tirana numëron 44 kënde lojërash, 5 shkolla të reja dhe 17 të tjera të nisura, kopshte e çerdhe publike të rikonstruktuara, të cilat nuk janë më objekte turpi, por shtëpiza krenare për të vegjlit, të cilët rriten shëndetshëm”, thuhet në letrën e Veliajt.


Mandej, ai shton se falë transformimit të shpejtë që ka pësuar Tirana, kryeqyteti konsiderohet nga guidat turistike si një ndër qytetet më energjike të Ballkanit. Veliaj thekson se tashmë Tiranës i referohen si metropol dhe kryeqyteti është motori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë me rritje ekonomike 10%, më e larta në vend e rajon. “Në këto 4 vite kemi ndërhyrë thuajse në çdo lagje të Tiranës, në qendër dhe në periferi, me blloqe banimi të shtruara me asfalt, të ndriçuara, të gjelbëruara, dhe me hapësira dëfrimi, duke rikthyer ndjenjën e humbur të komunitetit”, shkruan ai.

Në letrën dërguar qytetarëve, Veliaj i siguron ata se ai dhe ekipi i tij kanë ende shumë punë për të bërë dhe se Tirana vetëm sa e ka nisur rrugën e saj të shkëlqimit. Veliaj thekson se bashkimi përmes votës më 30 Qershor është një datë shumë e rëndësishme për të ardhmen e familjeve dhe të qytetit tonë. “Kemi ende shumë e shumë punë për të bërë! Tirana vetëm sa e ka nisur rrugën e saj të shkëlqimit. Ambicia ime dhe e skuadrës që drejtoj shkon shumë më larg transformimit të deritanishëm. Ashtu si edhe ju, unë dua të punoj dhe të rris familjen time në një qytet edhe më të pastër e modern, me mundësi për çdo fëmijë, të ri e të rritur. Prandaj, më 30 Qershor do t’ia dalim vetëm nëse bashkohemi të gjithë me votën tonë, si më e çmuara dhuratë për jetën e familjeve tona dhe gjithë qytetit. Mezi pres të nisim së bashku një tjetër 4-vjeçar”, shkruan Veliaj.




Skip to toolbar