Ashtu siç kishte paralajmëruar, Presidenti Ilir Meta dekretoi të premten pasdite Arben Ahmetaj në postin e Ministrit të Rindërtimit. Propozimi, për krijimin e Ministrisë së Rindërtimit, u bë të premten nga Kryeminisri Edi Rama. Ai propozoi që postin në këtë ministri të re të ekzekutivit ta merrte ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, që aktualisht drejtonte dhe Komitetin Kombëtar të Rindërtimit.
“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave, ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruajti Rama.
Pas këtij propozimi, reagoi dhe Presidenca që konfirmoi se nuk do të humbte kohë në dekretimin e Ministrit Ahmetaj. Dhe disa orë më pas, Ilir Meta firmosi propozimin e Kryeministrit Edi Rama për emërimin e Arben Ahmetaj në postin e Ministrit të Rindërtimit.
Ky është një nga rastet e pakta, ku Kryeministri dhe Presidenti kanë unifikim të qëndrimeve, duke lënë pas përplasjet e mëdha politike, që nisën me zgjedhjet e 30 qershorit dhe janë ende të hapura me ngërçin e krijuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ministria e Rindërtimit do të ketë detyrën për koordinimin e punës me të gjithë aktorët dhe vënien në lëvizje të të gjithë mekanizmave, për rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti, që kanë lënë pa strehë mijëra familje.