Meta i bën dalje Bashës, mban i vetëm flamurin e opozitës: Të bashkohemi

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta me refleksionin politik të së enjtes, ka marrë i vetëm flamurin e drejtimit të opozitës duke i bërë dalje Bashës dhe thirrjeve të tij për largimin e Ramës.

Meta shkruan nga lartësitë e Prevallës ku ndodhet prej disa ditësh për të bërë pushime por që në fakt i kanë shërbyer si ditë për të qenë më aktiv dhe më opozitarë se kurrë ndaj qeverisë, se opozita nuk mund të presë që Rama të ikë vetë, por duhet të përballet më të dhe duhet ta mundë përmes zgjedhjeve.

Madje presidenti shkon më tej duke sjellë si shembull Millosheviçin dhe duke bërë një krahasim me largimin e tij dhe përfundimin në Hagë.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra”, shkruan Meta.

Me retorikën e drejtuesit të opozitës Presidenti i cili duhet të ishte mbi palët bën thirrje që opozita të bashkohet për të mundur Ramën. Ai shkruan se bojkoti është bashkëfajësi, duke sulmuar hapur Bashën.

“Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 tetori po afron!”, kështu shkruan Meta këtë të enjte.

Një deklaratë kjo që shigjeton hapur kreun e PD-së, Basha. Rruga e zgjedhur prej Bashës, bojkoti dhe thirrjet që Rama të lërë pushtetin, nuk janë të duhurat sipas Metës. Bojkoti në zgjedhje e nxorri PD-në në rrugë dhe e la pa asnjë pushtet. Ndërsa kreu i PD-së vijon ende të mendojë për protesta dhe refuzon të futet në zgjedhje. Por tani opozitën e drejton Meta dhe zgjidhja sipas tij janë zgjedhjet e 13 tetorit. Opozita sipas tij, duhet të bashkohet nën thirrjen e Metës dhe të përballet me Ramën në zgjedhje. Thirrje këto të presidentit nuk lënë vend për dyshime, ai tashmë tund i vetëm flamurin e drejtimit të opozitës, ndërsa Bashës i duhet të merret me partinë dhe kritikët brenda PD-së ndaj vijon pa ndërprerje turin në çdo degë. Në shtator nis lëvizja “Basha ik”, por Meta duket se e nisi para kohe./Realstory.al



Skip to toolbar