Meta i “mohoi” fjalën në deklaratë, sekretari i OSBE reagon në Twitter (tregon çfarë tha)

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger pati një takim pasditen e të enjtes me Presidentin e Republikës Ilir Meta në zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Në përfundim të këtij takimi, presidenca bëri një deklaratë, ku ndër në pjesën kryesore të saj, citohej fjala e Ilir Metës ku kërkonte “ndihmën e OSBE për të zgjidhur krizën në Shqipëri”.

Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë nga presidenca, shkruhej vetëm një fjali me citimin e Ilir Metës, rreth angazhimit të Shqipërisë si kryesuese e OSBE vitin e ardhshëm. Në fund, pasi citohej vetëm fjala e Ilir Metës në deklaratë, nuk shkruhej asnjë fjalë rreth qëndrimit që kishte patur Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, në lidhje me temat e diskutimit, për të cilat shprehej deklarata.

Në këtë “errësirë” informimi rreth qëndrimeve të zyrtarit të OSBE nga presidenca, ka reaguar vetë Thomas Greminger, i cili me vetëm një fjali në Twitter ka shkruar duke zbuluar njëkohësisht edhe axhendën e takimit të tij me Ilir Metën. “Në takim me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ne ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë çelësi për progresin dhe suksesin e ‘Albanian OSCE 2020 Chair”, shkruan Greminger.

Pra, asnjë fjalë për tema të tjera të diskutuara me Ilir Metën, por vetëm për atë që mesaduket është fokusi real i OSBE, angazhimi i Shqipërisë për kryesimin e kësaj organizate vitin e ardhshëm. Ndërkohë, lidhur me krizën, Sekretari i OSBE-së shprehu qëndrim paraditen e të enjtes gjatë takimit me Ministrin Gent Cakaj, ku gjithashtu theksoi se “kriza duhet të zgjidhet brenda kornizës kushtetuese”.



Skip to toolbar