Nga Berlini ku ka marrë pjesë në mëngjesin e lutjeve, presidenti Ilir Meta ka kërkuar që BE të çelë brenda qershorit negociatat me Shqipërinë.
“Bashkatdhetarët dhe bashkë atdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, – theksoi Presidenti Meta ne fjalën e tij.
Presidenti tha se jo vetëm shqiptarët por i gjithë Ballkani e sheh NATO-n dhe BE-në si garanci për paqen dhe stabilitetin.
“Ne, në Ballkanin Perëndimor e shikojmë NATO-n dhe Bashkimit Europian si garancitë më të mira për rendin paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë, në brendësinë e tyre si dhe në rajonin tonë.
Shqiptarët luten që Maqedonia e Veriut fqinjë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur dhe ajo e meriton plotësisht pas arritjes historike.
Ne e kemi konsideruar gjithmonë kufirin e zgjeruar të NATO-s në rajon si një vlerë për të ndjekur paqen e bashkësisë sonë të popujve, të cilët për një kohë të gjatë e shikonin si të pamundur bashkëjetesën me njëri-tjetrin.
Ne duhet të jemi fuqimisht të vendosur në mbrojtje të këtij partneriteti, në forcimin e aleancës transatlantike, në ruajtjen e vlerave thelbësore që lidhin e bëjnë bashkë veçanërisht, të rinjtë tanë.
Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara dhe BE-së ishin thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje tejkaluese ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut fqinje. Kam shpresë dhe lutem se e njëjta vendosmëri dhe koordinim do të mundësojnë edhe një marrëveshje përfundimtare që pritet me padurim midis Kosovës dhe Serbisë.
Vendet e rajonit të Ballkanit janë të ankoruara në mënyrë të vendosur në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Meta ndërsa referuar krizës politike kujtoi apelin e bërë nga bashkësitë fetare në vend për dialog mes palëve.
“Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndër-fetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar.
Lutem gjithashtu që Bashkimi Europian dhe NATO-ja, që mundësuan dhe siguruan paqen, stabilitetin dhe lirinë për këtë kontinent, do të vazhdojnë të kenë sukses dhe të përparojnë, si paqeruajtës të fortë për brezat e ardhshëm”, tha Meta në Berlin.