Meta kujton viktimat e diktaturës dhe thumbon Ramën: Të mos kthehemi 30 vite pas

AKTUALITET


Presidenti Meta ka përkujtuar të premten Ditën Europiane të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, ndërsa ka kujtuar edhe viktimat e diktaturës në Shqipëri ku dhe ka dërguar një mesazh për kryeministrin Rama, teksa shkruan se “uron që vendi të mos kthehet 30 vite pas përmes tendencës despotike të qeverisjes”.

Meta ka publikuar disa foto nga vizita e tij në Kampin e Tepelenës dhe në Burgun e Spaçit. Ai shkruan se ka ardhur koha që Shqipëria të çlirohet nga makthi i rikthimit të çdo forme të diktaturës.

“Sot ne përkujtojmë Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të kaluar, që shkaktuan mijra viktima të pafajshme edhe në vendin tonë.

Për 45-vite me rradhë, Shqipëria u shndërrua në Korenë e Veriut të Europës. Me mijëra shqiptarë u vranë, u burgosën dhe u internuan. Liria, të drejtat e njeriut, demokracia e pluralizmi ishin vlerat tek të cilat ata besonin dhe për të cilat sakrifikuan edhe jetën e tyre.

Është detyra jonë t’u mësojmë gjeneratave të reja të vërtetën e të kaluarës tonë të afërt, me qëllim që ajo të mos përsëritet më.

Për të mos i vrarë edhe për një herë të dytë ata që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre, që ne dhe brezat e ardhshëm të jetonim të lirë në një vend tërësisht demokratik.

Kujtimi i së shkuarës, të vërtetat e dhimbshme të mizorisë dhe shëmtisë së diktaturës komuniste janë një barë ndërgjegje e madhe për të gjithë ne.

Disidenca shqiptare meriton jo vetëm të kujtohet, të shkruhet e të plotësohet, por edhe të nderohet me të gjithë respektin që meriton.

Përballja serioze me të kaluarën, trajtimi i saj me transparencë e drejtësi, uniteti shoqëror, paqja dhe mirëkuptimi social, do të na ndihmojnë, jo vetëm për të mos harruar tragjeditë e së shkuarës por edhe për t’u çliruar nga makthi i rikthimit të çdo forme diktature apo tendence despotike të qeverisjes.

Për të bërë atë që është më mira që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat dhe liritë e tij si çdo qytetar europian, i pashantazhuar nga kontrolli politik, frika e varfëria.

Për të mos u kthyer më kurrë 30 vite pas!”, shkruan Meta.

Një tjetër përpjekje e tij për t’iu kundërvënë Ramës dhe qeverisë së tij, ndërkohë që kërkon mbështetje tek ajo shtresë e popullsisë që e lidh Ramën me të kaluarën komuniste. Kjo është një tezë e vjetër e përdorur prej vitesh nga PD dhe veçanërisht nga Berisha që herë pas herë i kujton Ramës të atin dhe postin që ai ka mbajtur në qeveri në kohën e Enver Hoxhës. Megjithëse Rama ka qenë ndër të parët që i është bashkuar lëvizjes demokratike për rrëzimin e regjimit diktatorial në Shqipëri.



Skip to toolbar