Meta pesimist për negociatat. Rama i përgjigjet nga Çekia

AKTUALITET


“11 tetori është një datë e parëndësishme, por po i jep rëndësi mazhoranca për të larguar vëmendjen nga 18 tetori”, u shpreh Ilir Meta të mërkurën pasdite në konferencë për shtyp. Kreu i shtetit shfaqi pesimizëm se vendi ynë nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sipas Metës “qeveria duhet të kishte shfrytëzuar pushimet e verës për të punuar për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave”. Në fakt, kushtet janë përmbushur, këtë e tha Komisioni i Europës në progres-raportin e muajit qershor, ku rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Jo vetëm kaq, por përmbushjen e kushteve e konfirmoi gjithashtu Këshilli i Europës, që u shpreh se vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, por vendimi u shty për t`u marrë në tetor pasi Europa sapo kishte përfunduar zgjedhjet parlamentare, dhe vendet anëtare kërkuan më shumë kohë për t`u njohur me progres-raportin. Kryeministri Edi Rama, kritikave të shumta të Ilir Metës për qeverinë, të artikuluara të mërkurën gjatë konferencës për shtyp, nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt.

Megjithatë, nga Çekia, ai ka dërguar një mesazh në adresë të kreut të shtetit, duke konfirmuar se disa nga vendet anëtare të BE, jo vetëm do të mbështesin çeljen e negociatave, por njëkohësisht do të punohet për një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik. “Në Pragë me vendet e V4 (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) dhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Jo vetëm mbështetje totale nga V4 për çeljen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, po edhe një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik”, ka shkruar Rama.



Skip to toolbar