Meta sfidon nga 2751 metra lartësi: Kaloj çdo pengesë (edhe shkarkimin?)

POLITIKË


Kreu i shtetit, Ilir Meta ka zgjedhur majën e malit të Korabit, që ndodhet 2751 metra mbi nivelin e detit, që të sfidojë mazhorancën, vetëm pak ditë para se të nisë sesioni i ri parlamentar, pasi në shtator komisioni hetimor do të nxjerrë konkluzionet për shkarkimin e Presidentit. I braktisur pothuajse plotësisht nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga kreu i opozitës, i cili nuk pranoi të regjistrohet për 13 tetorin, pavarësisht se Meta i shtyu zgjedhjet e 30 qershorit për të, kreu i shtetit ka zgjedhur që mesazhet politike, kohët e fundit edhe më të rralla, t’i japë nga lugina dhe nga male, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Të premten në mëngjes, ai ka nxjerrë një postim në rrjetet sociale, duke treguar se ishte në majën e Malit të Korabit, nga ku ka dhënë një mesazh sfidues për mazhorancën, e cila po pret me padurim votimin për shkarkimin e tij dhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për vulosjen e këtij vendimi. “Në majën më të lartë të maleve shqiptare, mbi Korab, aty ku duket sikur prek qiellin me dorë. Ngjitja ishte sfidë jo e lehtë, por bukuritë dhe monumentet e rralla natyrore të këtij mali madhështor, të frymëzojnë dhe të japin energji të reja për të kaluar me sukses çdo pengesë!”, shprehet Meta, duke dhënë mesazhin se ai nuk e ka pasur të lehtë ngjitjen në krye të shtetit, por edhe duke paralajmëruar se do të kalojë pengesën e shkarkimit, që duket se po i afrohet gjithnjë e më shumë. Megjithatë, krahasimi metaforik i Metës duket paksa i ekzagjeruar, ndoshta edhe për faktin, ashtu siç ai shprehet në pjesën e parë të mesazhit se aty i duket sikur prek qiellin me dorë.

Ndërsa një tjetër sfidë e Metës është 13 tetori, që deri më sot është njohur vetëm nga LSI dhe disa aleatë të vegjël të opozitës, të cilët më shumë e kanë pranuar për faktin se mbetën pa asnjë pushtet për shkak të aksionit opozitar të drejtuar nga Basha, sesa mendojnë që do të ketë zgjedhje me këtë datë. Gjithsesi, nga e hëna, kreu i shtetit rikthehet në zyrë, ndërkohë që Komisioni Hetimor ka vijuar punën gjatë gjithë verës për përgatitjen e relacionit për shkarkimin e tij.

Një nga informacionet e publikuara gjatë gushtit për punën e kryer nga Komisioni Hetimor janë mbledhja e të dhënave të policisë për krimet zgjedhore para anulimit të 30 qershorit, duke qenë se Meta ka deklaruar që kishte informacione se po përgatiteshin krime të rënda gjatë procesit zgjedhor. Por, nga të dhënat e policisë së shtetit rezulton se kishte pasur vetëm 2 kallëzime për krime elektorale, ndërsa pas 10 qershorit, u proceduan 192 persona, duke shkaktuar kështu një krizë, jo vetëm institucionale, por edhe goditje ndaj rendit kushtetues. Gjithsesi, përveç institucioneve që janë vënë në lëvizje, një rol të rëndësishëm në procesin e shkarkimit të Presidentit pritet të ketë edhe Komisioni i Venecias, që më 9 shtator do të zbarkojë në Tiranë. / Realstory.al

Në majën më të lartë të maleve shqiptare, mbi Korab, aty ku duket sikur prek qiellin me dorë. Ngjitja ishte sfidë jo e…

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 30. August 2019


Skip to toolbar