Presidenti e nisi të mërkurën me sulme ndaj Refomës në Drejtësi. Përgjigjen e parë e mori nga ambasadori i BE-së Soreca i cili i tha se Reforma nuk ka kthim pas, madje i kujtoi edhe SPAK dhe Kushtetusen.
Por presidenti nuk u ndal. Vazhdoi me “refleksione për reformën në Drejtësi”, ku kunjin këtë herë e kishte te vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e dekretit të tij përmes kërkesës së Idajet Beqirit.
“Ju të gjithë e dini arritjen më të freskët të Ramaformës në Drejtësi, pikërisht momentin kur Kolegji Zgjedhor duke shqyrtuar hallin e Idajetit trukoi se kishte rrëzuar Dekretin e Presidentit”, shkruan Meta, i cili premton se gjatë gjithë ditës së sotme do të shkruaj herë pas herë reagime për reformën.
Përgjigjen e dytë e ka marrë nga zëdhënësja e qeverisë, Spiropali. Sipas saj Metës nuk i iket pa e vrarë reformën në drejtësi që e sheh si “agresion ndërkombëtar”
“Baba Xhikja na la po Reformën në Drejtësi meazallah se e lëshon në rrokullimën e tij të zhurmshme! Ajo i del në gjumë, në ujë, në bukë, madje edhe në rrugë. Të shkretit Baba Xhike nuk i iket pa e vrarë atë dreq reforme, që e sheh si top, tank, kundërshtar, agresor ndërkombëtar!”, shkruan Spiropali.
Me siguri që ky debat në distancë mes presidentit dhe qeverisë do të vazhdojë gjatë. Ajo që bie në sy është injorimi që i bën Rama presidentit, duke mos reaguar vetë, por duke nxjerrë Spiropalin.