Milot Rashica po lulëzon te Werder Bremen

Më të fundit


Washington Post i kushton një artikull futbollistit shqiptar

Milot Rashica po kalon një formë të shkëlqyer në Gjermani me Werder Bremen, teksa vetëm mbrëmjen e djeshme, shënoi përsëri ndaj Schalkes në Kupën e Gjermanisë. Goli i tij ishte i jashtëzakonshëm, i shënuar nga jashtë zone dhe me një harkim spektakolar.

Bremen u kualifikua në turin tjetër të kupës, ndërsa Rashica shijon frutet e punës së tij. Ky sezon ka qenë vërtetë i mbarë për sulmuesin anësor, teksa ka shënuar deri më tani 9 gola në të gjitha garat në Gjermani.

Shkëlqimi i Milot Rashicës ka kaluar kufijtë e Gjermanisë, por edhe të Europës. Është Washington Post, që i ka kushtuar një artikull të gjatë futbollistit nga Kosova, që po përjeton një moment të shkëlqyer në karrierë. “Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, po lulëzon te Werder  Bremen”, e vendos titullin kreysor të shkrimit gazeta amerikane.

Më tej, në artikullin kushtuar Milot Rashicës, gazeta amerikane citon fjalët e trajnerit të Bremenit, Flirna Kohfeldt, i cili është shprehur se futbollisti kosovar është rritur shumë profesionalisht.

 “Ai ka bërë hap gjigant. Është më i sigurt në vetvete dhe tani thjesht mund të bëjë gjëra të tilla”, ka thënë trajneri i skuadrës gjermane, ndërsa ka vijuar: Me topin, Rashica mund të bëjë gjithçka që ju nevojitet për të fituar ndeshjen. Ai ka një goditje të shkëlqyer, qoftë nga distanca apo dhe brenda zonës së penalltisës. Këmba e tij e djathtë është një armë e rrezikshme”, ka thënë Kohfeldt.

Washington Post, ndër të tjera në artikull, ka cituar edhe fjalët e Milot Rashicës, që ky i fundit ka thënë në një intervistë për faqen zyrtare të klubit të Werder Bremen.

Ai  ka rrëfyer ndër të tjera ndryshimin e madh midis Bundesligës dhe ligës së parë në Hollandë, ndërsa ka treguar se i është dashur kohë për tu përshtatur. “Ka ndryshim të madh midis dy kampionateve. Mu deshë shumë kohë për tu përshtatur me stërvitjen dhe stilin e lojës me shokët e skuadrës”, ka thënë Rashica.



Skip to toolbar