Ministria e Brendshme ka deklaruar se opozita do të përsëris gjatë protestës së sotme të njëjtin skenar dhune të sulmimit të institucioneve me bomba molotov.
Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një deklaratë për mediat dënoi ashpër dhunën dhe sulmet e kryera ndaj policisë së shtetit më 11 maj.
“Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit. Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt. Sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm.” – tha Lamallari
Ministria e Brendshme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet në hetimin e tyre.