PD: Dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllimi ynë

POLITIKË


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka cilësuar si dashakeqe dhe sajesë të neveritshme deklaratat e Ministrisë së brendshme për qëllimin e protestës së opozitës. Bardhi tha se dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllim i PD dhe se nuk ka shpërndarë kurrë bomba molotov.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.


Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.” – tha Bardhi

Bardhi tha se Partia Demokratike ka thirrur sot në një marshim protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.

“I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.” –tha Bardhi

Gjithashtu Bardhi tha se mbishkrimet në banesën e ambasadorit të OSBE nuk janë vepër e protestueseve dhe se i kërkon prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë.




Skip to toolbar