Minxhozi: SPAK, fundi i gjuetisë me fishekë manovre

AKTUALITET


Nga sot Shqipëria ka një shpresë më tepër. Për të ndërtuar shtetin ligjor, për të drejtuar shpinën e kërrusur të republikës nga qeverisjet e këqija, korrupsioni, tarafet dhe ryshfeti. Por edhe për të dhënë një sinjal të fortë, se rreth katër vite reformë në drejtësi, që bënë lëmsh politikën dhe trazuan ëndrrat më rozë të shumë shqiptarëve, ia kanë vlejtur vërtetë.

Nga sot edhe klasa politike, që i dha formë dhe votoi reformën në fjalë, nuk ka më asnjë alibi të qëndrueshme, për të justifikuar mungesën e drejtësisë në vendin tonë. Shprehja “t’ia lëmë drejtësisë së re në dorë”, me zyrtarizimin e SPAK kthehet nga aspiratë në realitet.


Zgjedhja e kreut të SPAK Arben Kraja, si dhe betimi i tetë prokurorëve të kësaj njësie të posaçme, i jep emra dhe fytyra konkrete një strukture tek e cila ka qëndruar, qysh në ditën e parë të reformës në drejtësi, thelbi i përmbysjes së madhe të këtij sistemi: të bëhet i mundur hetimi, paditja dhe më në fund dënimi i korrupsionit deri dje të paprekshëm. Korrupsionit të zyrtarëve të lartë, politikanëve në pushtet dhe opozitë, si dhe hapjen ose rihapjen e dosjeve që kanë bërë ose bëjnë zhurmë, por që nuk prodhojnë “viktima”.

Arben Kraja dhe prokurorët e tij, do të duhet të mbushin me emra, ngjarje dhe fakte boshllëkun e madh të akuzave publike që ka prodhuar ambienti shqiptar në këto vite. Natyrshëm, duke i ridimensionuar ato, pra duke hedhur në kosh atë që ka qenë thjesht një “muhabet kafeneje”, ose duke çuar në tryezën e gjyqtarit atë dosje apo ngjarje që është lënë mënjanë për shkak të pushtetit të protagonistëve të saj.

E dimë se në Shqipërinë e sotme kjo është si të ngjitësh Everestin pa oksigjen. Por dikush duhet ta ngjisë atë majë dikur dhe SPAK me të zgjedhurit e saj ka detyrën konkrete të justifikojë malin e shpresave që ka krijuar ky akronim me kalimin e kohës. Nëse shqyrton sot listën e arsyeve dhe motiveve që mbajnë ende me shpresë një banor të Shqipërisë, shumëçka përmblidhet tek pritshmëria që ka krijuar reforma në drejtësi. Dhe pika e gravitetit e reformës është SPAK. Të shohim ç’do dalë dhe kjo reforma e ta ndajmë mendjen, është shprehja më e përdorur.

Arben Kraja dhe prokurorët e tjerë të njësisë speciale kanë në dorë ta mirëpërdorin këtë investim në imazh që SPAK ka marrë mbi vete, ende pa u formuar. Ta mirëpërdorin dhe ta konsolidojnë mundësisht, në një mjedis ku dominon entuziazmi i fillimit, që ia lë më tej vendin humoreve depresive dhe pesimizmit.

Të gjesh dhe provosh korrupsionin në Shqipëri është si të peshkosh në një akuarium. Një pyll i madh emrash, interesash dhe zullumesh të lidhur me ta, e bëjnë shumë të lehtë identifikimin e shkeljeve dhe formalizimin e tyre me akuzat përkatëse. A do të arrijë SPAK të fillojë të mbjellë frikën ndaj ligjit, duke treguar seriozitet e qëndrueshmëri në goditjen ndaj kësaj turme gjigande emrash dhe interesash të papastër, që kanë ndërtuar universin e tyre paralel, pa rregulla e ligje?! Ja një pyetje për të cilën nuk do të duhet të presim gjatë. Sepse alibia disavjeçare e mungesës së SPAK mori fund. Bashkë me të mori fund edhe alibia e ngrehinës ende të papërfunduar të drejtësisë së re. Tani nuk luhet më me fishekë manovre.




Skip to toolbar