Foto me Salianjin, një sforcim për ruajtjen “hijen e frikës” mbi drejtësinë

OPINION


Nga Mero Baze

Ervin Salianji nëse donte t’i shpëtonte drejtësisë, duhej të kishte imituar Berishën. Ai duhej të takohej një natë para gjyqit me Ilir Metën, dhe jo një natë pas. Të pinin verë tek shtëpia, të kujtonin kohët e vjetra dhe pastaj gjykata të merrte vendim pro tij. Kështu së paku ka vepruar Sali Berisha me Ilir Metën, një natë para se gjykata të jepte vendimin për Ilir Metën, më 2012. Hëngrën të dy një darkë dhe të nesërmen punët u rregulluan.


Ervin Salianji shkoi një ditë më vonë tek Ilir Meta. Vonesa e tij për të takuar Ilir Metën, tregon shumë se çfarë ka ndryshuar në Shqipëri.

Ka ndryshuar së pari, rregulli që nëse ha një natë para darkë me Ilir Metën, i shpëton dënimit. Me gjithë ulërimat dhe pështymat mbi reformën në drejtësi, duket se së paku është krijuar fryma e ndëshkueshmërisë së politikanëve. Dhe këtë frymë nuk e ndalin dot më as gjykatësit, sado të lidhur të jenë me politikën.

Nga ana tjetër, takimi i tyre pas gjyqit, tregon se sa i vendosur është Ilir Meta për të mos e dorëzuar hijen e pushtetit të tij mbi drejtësinë.

Duke thirrur në takim një politikan të dënuar nga Gjykata dhe duke i premtuar mbështetje, Ilir Meta kërkon të japë mesazhin se vendimet e drejtësisë janë ende në dorë të tij dhe se ai mund të ketë ende fuqi t’i ndryshojë ato.

Më shumë se sa për Salianjin, ai është një sinjal që Ilir Meta kërkon t’i japë drejtësisë për vete dhe rrethin e tij.

Ai është duke u bërë karshillëk e t’u tregojë se nuk ka vdekur akoma, që ta dorëzojë kokën në sininë e gjyqtarëve.

Dhe për këtë, më shumë se sa për të shpëtuar Salianjin, ai e përdori Salianjin për të bërë një provë force ndaj atyre që duket se kanë marr vendim të fillojnë të zhdukin pandëshkueshmërinë nga skena politike shqiptare.

Takimi u bë disa minuta pas betimit të SPAK në Presidencë, trupës speciale të prokurorëve që do të gjykojnë korrupsionin e këtyre 30 viteve në Shqipëri dhe dosjet e pagjykuar.

Pasi bëri adetin me ta, Ilir Meta vendosi të tregojë se në këtë vend, ai do të vazhdojë të përpiqet të marrë vendime edhe për drejtësinë.

Në të vërtetë, dënimi i Salianjit është i padrejtë, kur ngushtohet tek Salianji. Ai më shumë se sa fajtor në atë histori, është përgjegjës që ka pranuar të bëhet pjesë e një skeme të ulët dhe pa fantazi, nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, që ka pranuar të financojë dhe të investohet në një skemë mashtrimi për të goditur një kundërshtar politik.

Përdorimi fizik i Salianjit në atë histori, nuk është thjesht faj i Salianjit, por më i gjerë se aq. Dhe e vetmja rrethanë lehtësues e Salianjit, është se ai nuk ka kundërshtuar një detyrë partie, që në fakt ishte mision kriminal.

Por Salianji nuk është se ka bërë ndonjë gjest personal, ose ndonjë krim për interes të tij. Ai e ka bërë për interes të PD dhe kryetarit të saj, dhe dënimi duhet të ishte më i gjerë dhe më propocional.

Nuk mundet që në atë histori të dënohet Salianji dhe Olldashi, ndërsa prezantuesit e atij skandali, Lulzim Basha dhe më poshtë Enkelejd Alibeaj, të jenë të pafajshëm, dhe të bëjnë sikur i ka gënjyer Salianji me Olldashin.

Kështu si e ka bërë PD-në, Lulzim Basha, janë dënuar të gjithë nga një here, përveç atij. Është dënuar Paloka, Vokshi, Noka, Bardhi, Salianji etj, vetëm se përdoren për të thënë gënjeshtrat e tij.

Ndaj Ilir Meta nuk ka çfarë ndihmon Salianjin në këtë histori, pasi Salianji nuk ka bërë ndonjë krim paisoni, apo krim personal, por një aksion politik të urdhëruar nga partia e tij.

Ilir Meta po e përdor foton me Salianjin, njësoj si e ka përdorur Luzlim Basha, Salianjin, në atë histori kriminale.

Ndërsa i pari e përdori për të shpikur një krim, i dyti po e përdor për të trembur prokurorët të hetojnë krimet e tij dhe shokëve të tij.

Është pak vonë. Dhe mbi të gjitha, kohë e keqe për t’u mbrojtur politikisht për një krim.




Skip to toolbar