Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe opozitare në vend në krah të PD-së së Bashës është zhdukur nga skena politike, ka nisur pushimet e gjata verore dhe ka harruar aksionin opozitar të premtuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ajo është shfaqur shpesh kohët e fundit në facebook, por ka bërë vetëm postime familjare. Më e fundit është ajo e publikuar të mërkurën nga presidenti Meta, në krah të të cilit është edhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e tij. Të dy ndodhen me pushime familjare në Prevallë. Në postimin e fundit, presidenti Meta ka prezantuar një qytetar dhe thotë se atij i përket çmimi ndërkombëtar për kosin më të mirë (nëse do të kishte një çmim të tillë).
Nëse bëjmë një kontroll të postimeve të Kryemadhit do të shohim, urimin për festën e Bajramit, më 11 gusht; më pas një foto me të birin, Besarin, sërish me pushime në Prevallë në 4 gusht dhe një postim tjetër më 1 gusht, përmes të cilit uron Klajda Gjoshën për lindjen e vajzës së saj.
Pra gjatë gjithë gushtit Kryemadhi nuk ka bërë politikë. I vetmi postim politik është ai i datës 22 korrik ku kujtoi 3-vjetorin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në Drejtësi dhe ku akuzoi qeverinë për deformimin e reformës duke përdorur pothuajse të njejtën retorikë si Meta.
Ajo që bën përshtypje është jo vetëm distancimi i qartë që Kryemadhi ka bërë nga Basha por edhe harresa e premtimeve të saj se aksioni politik do të vazhdojë gjatë gjithë verës, përmes protestave.
Në daljen e fundit për mediat pas protestës së fundit të opozitës në 8 korrik Kryemadhi premtoi se “protestat do të vijojnë së bashku me aksionin politik”. Ajo tha se opozita dhe maxhoranca duhet të ulen në tryezë jo për të zgjidhur krizën aktuale por për të zgjidhur krizën e tranzicionit 30 vjeçar në Shqipëri duke kërkuar ndryshim rrënjësor të sistemit. Kryemadhi tha më 8 korrik se “opozita ka përgjegjësi të udhëheqë 85% të shqiptarëve (shifër kjo që u rrëzua nga Meta)”.Ajo gjithashtu premtoi se “për ne si opozitë nuk ka pushime. Nuk do ndalojmë. Do takojmë shqiptarët. Do protestojmë në mënyra të ndryshme”.
Por nga kjo deklaratë kanë kaluar më shumë se 1 muaj dhe deri tani, asgjë nuk ka ndodhur. Monika është me pushime. Tani duhet të japë çmimin ndërkombëtar për kosin më të mirë./Realstory.al