Dy ndeshje dy humbje për kombëtaren U-17 të Shqipërisë, e drejtuar nga Elvin Beqiri. 17-vjeçarët kuqezinj janë mundur dhe në takimin e dytë miqësor, që kanë luajtur kundër Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Skënderbeu” në qytetin e Korçës. U-17 është mundur me rezultatin 0-2 në takimin e dytë, pas humbjes 1-0 që pësoi në ndeshjen e luajtur pak ditë më parë në Ohër.
Ndeshja ka filluar e qetë, me të dy skuadrat që në minutat e para kanë studiuar kundërshtarin. Maqedonasit gradualisht kanë marrë kontrollin e lojës dhe në minutën e 16-të, Borshe Gogov kaloi në avantazh fqinjët. Skuadra e Beqirit reagoi duke krijuar dy mundësi shënimi por nuk u finalizuan me sukses.
Në minutën e 40-të, Maqedonia e Veriut shënon dhe golin e dytë me anë të Filip Talakov, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë janë hedhur në sulm për të ndryshuar rezultatin por mbrojtja kundërshtare ka qënë hermetike dhe nuk arritën të shënojnë.
Ndërkohë, kombëtarja U-16 e drejtuar nga Elvis Sina ka barazuar 1-1 me Dinamo Brest në turneun “Etlinger 2019”. Për kuqezinjtë e vegjël ky është barazimi i dytë pas rezultatit 2-2 ndaj skuadrës së SPAL. Kombëtarja jonë ka kaluar e para në avantazh në minutën e 4-t të pjesës së parë, falë golit të Adrian Nezirit, dhe me këtë rezultat është mbyllur fraksioni i parë i lojës.
Në pjesën e dytë përfaqësuesja jonë ka krijuar shumë raste por pa fat në portën e kundërshtarit. Dinamo Brest në minutën e 57-të e ka kapur në befasi U-16 dhe ka ekuilibruar rezultatin. 1-1 mbyllet ndeshja e dytë e turneut.