Mot i përkeqësuar në Vlorë, ndalohet dalja në det për mjetet e vogla dhe peshkarexhat

AKTUALITET


Autoritetet detare kanë njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur gjatë datës kësaj të premte (8 maj), duke sjellë pezullimin e lëvizjes për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit jashtë gjirit.

Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 08:00 pritet erë e fortë në drejtimin Jug–Juglindje me forcë 6–7 ballë, me shpejtësi deri në 20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.

Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që operojnë në det të hapur jashtë Gjirit të Vlorës. Masa do të jetë në fuqi deri në orën 22:00 të së premtes, 8 maj 2026.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që operojnë në sektorin detar të marrin masa shtesë sigurie, duke siguruar mjetet në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve për të shmangur çdo situatë emergjente.

Ndërkohë, bëhet e ditur se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse.



Skip to toolbar