Ulen përsëri çmimet e karburanteve në vend duke prekur nivelin më të ulët të regjistruar që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.Në pikat e tregtimit me pakicë nje litër naftë do të shitet me 193 lekë ose 3 lekë me pak.
Ky është çmimi më i ulët i miratuar nga Bordi i Transparencës që prej ngritjes së këtij mekanizmi në mars .
Po ashtu në mbledhjen e radhës u vendos që të ulet edhe çmimi i benzinës.Tashmë në pikat e tregtimit me pakicë nje litër benzinë do shitet me jo më shumë se 179 lekë/litri.
Çmimet e caktuara do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes në tregjet ndërkombëtare.
Ky vendim i bordit të Trasparencës vjen pas uljes së ndjeshme të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.Një fuçi naftë në bursa tashmë po shitet rreth 100 dollarë që erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump rriti shpresat për një marrëveshje me Iranin për ti dhënë fund luftës.
Pavarësisht sulmeve në ngushticën e Hormuzit , Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha gjatë së premtes se armëpushimi SHBA-Iran është ende në fuqi.
Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se situata “tani është kthyer në normalitet”.
Më shumë se një e pesta e naftës dhe gazit në botë zakonisht kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila është bllokuar në mënyrë efektive që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Përpara se të fillonte konflikti, nafta tregtohej në bursa me rreth 70 dollarë për fuçi.
Bordi i Transparencës në datë 8 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%
