“Mungesë përgjegjësie. Do shporreni”, Rama mesazh Bashës dhe abuzuesve të fondeve

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama mbajti një videomesazh pasditen e të shtunës ku foli për tërmetin. Rama u shpreh se konferenca e donatorëve do të mbahet në Shqipëri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. “Me arkitekt të huaj dhe vendas për planet e rindërtimit si dhe për ndërhyrjen tërësore në Thumanë, ku do të përqëndrohet për një model shembull rilindjeje. Konferenca e Donatorëve, me vendim të KE do ta mbajmë në Tiranë, mes fundit të janarit dhe shkurtit, në varësi të raportit përfundimtar të të dëmeve. Brenda 2020 askush të mos mbetet në preskektivën e qartë dhe konkrete”.

Duke folur për rindërtimin, Rama tha se banorët e fshatrave të prekur nga tërmeti dhe që mbetën pa shtëpi, do ta gëzojnë shtëpinë e re brenda vitit 2020. Ndërsa për banorët që jetojnë në qytete, Rama tha se ata do të kenë gati apartamentet deri në qershor të vitit 2021. “Brenda 2020 banorët e fshatit  do ta gëzojnë vitin e ri në një shtëpi të re, brenda qershorit 2021 ato të qyteteve të jenë në apartamente të reja”, tha Kryeministri. Ndërkohë, Rama tha se hetimet vazhdojnë intensivisht për të dërguara përpara drejtësisë personat që kanë abuzuar me ndërtimit. “Vazhdojnë intensivisht hetimet për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli për dëmet e shkaktuara si pasojë e abuzimeve në ndërtim. Sot janë kryer arrestimet e para, mos dëgjoni ato që gam-gamosin përnatë pse nuk kanë arrestime”, tha Rama.


Gjatë videomesazhit, një moment të gjatë i kushtoi edhe liderit të opozitës Lulzim Basha. Fillimisht, Rama e përshëndeti për vetëpërmbajtjen kreun e PD, por nuk ngurroi ta kritikonte për  refuzimin e ftesës për t`u ulur së bashku në një tryezë të përbashkët. Rama tha se refuzimi që Basha i bën ftesës së tij është mungesë përgjegjësie.  “Opozita  është inekzistente në detyrën e saj, përveç daljeve sporadike. Dua ta falënderoj Lulzim Bashën për një vetëpërmbajtje në momente të vështira, u përpoq të mos bëhej i tepër me fjalorin e rëndë. E kritikoj për refuzimin e përsëritur dhe absurd që të mos ulen në tryezën e bashkëpunimit, nuk e di pse refuzon, por di që refuzimi është mungesë e plotë e përgjegjësisë”, tha kryeministri.

Gjithashtu, Rama paralajmëroi qytetarët se nuk do të merret as me akuzat që opozita mund të drejtojë ndaj qeverisë në ditëtët në vijim në lidhje me menaxhimin e situatës pas tërmetit. Rama tha se ai do të merret me sfidën e jashtëzakonshme të rindërtimit, ndërsa u shpreh se Shqipëria do të ringrihet më e fuqishme pas kësaj situate. “Opozita ka nisur të jap shenjat e para të një lufte të egër prej balte, ku dita ditës do t`u mërzisin me akuza, shpifje, gjysmë të vërteta. Kjo është puna e tyre me Bashën. Nuk merrem dhe nuk do merrem me ta. Unë dhe ne duhet të merremi me sfidën e jashtëzakonshme që na ka vënë përpara Zoti duke na goditur si s’ka më rëndë, por edhe duke na dhënë mundësinë që të ngrigemi përtej politikës, përtej vetëvetes”.

Në fund, Rama dha dhe një mesazh për qytetarët, ku i garantoi se ai vetë do të bëjë të çmos që çdo donacion i dhuruar për rindërtimin të mos shpërdorohet. Rama tha se nëse do të ketë dhe vërtetohen akuza për shpërdorime, jo vetëm që zyrtarët do të largohen nga radhët e qeverisjes, por do të dërgohen përpara drejtësisë.  “Do të bëj çmos që çdo qindarkë të shpenzohen me ndershmëri dhe zgjuarsi dhe që transparenca të jetë makimale, nëpërmjet Komitetit të Rindërtimit, pa dallim feje. Do kërkoj verifikimin dhe argumentimin e saj të çdokujt që bën një akuzë, dhe po pati bazë çdo abuzues do të shporret nga rradhët tona dhe të shkojë para drejtësisë”, tha Rama.




Skip to toolbar