Mustafa reagon pas Kurtit: Dështoi strategjia jote, ne jemi gati për negociata

AKTUALITET


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa reagoi mbrëmjen e të mërkurës pas deklaratës së liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, se negociatat për koalicion qeverisës dështuan. Sipas Isa Mustafës, negociatat nuk kanë dështuar, por ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, thotë Mustafa.

Isa Mustafa këmbëngul se LDK-ja ka fituar pothuajse të njëjat vota me VV, ndaj sipas tij, pushteti duhet të jetë i balancuar. “Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shumë, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit”, shprehet Mustafa.

Mustafa shprehet se mesazhi i Kurtit drejtuar qytetarëve, në fakt ishte për LDK-në. Ai shprehet se këtë mesazh e ka të qartë. Isa Mustafa thotë se Albin Kurti tregoi të mërkurën se është fati të mbështesë kandidatin e LDK për President të Kosovës, vetëm për të marrë më shumë përfitime në qeveri.

“Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e Kosovës. Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë”.

“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore”.

“Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet. E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë të parit, ashtu si dhe përgjegjësi për të gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, mbyllet mesazhi i Isa Mustafës.



Skip to toolbar