Ndërtesa e njëjtë në Moskë goditet nga një sulm i ri me dron

BOTA


Një ndërtesë e lartë biznesi në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, është goditur sërish nga një sulm me dron, bëri të ditur kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, mëngjesin e 1 gushtit.

Disa dronë u rrëzuan gjatë natës, tha ai, por “njëri e goditi të njëjtën ndërtesë të lartë” në kompleksin Moskva City, i cili ishte sulmuar edhe të dielën.

Fasada e ndërtesës është dëmtuar në katin e 21-të, theksoi kryetari.

Nuk raportohet për të lënduar.

“Disa dronë u rrëzuan nga sistemet tona mbrojtëse ajrore derisa po tentonin të arrinin në Moskë. Njëri e goditi të njëjtën ndërtesë në qytet sikur herën e kaluar”, shkroi Sobyanin në rrjetin social Telegram.

Ai po i referohej ndërtesës që ishte goditur nga një sulm i mëparshëm me dronë të dielën.

Aeroporti ndërkombëtar Vnukovo në Moskë u mbyll përkohësisht pas sulmit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën për sulmin. Kievi, zakonisht, nuk i komenton këto çështje.

Zyrtarët rusë thanë të hënën se tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën mëngjesin e 30 korrikut, duke e plagosur një roje sigurie.

Moska e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën se ka kryer sulme me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, përfshirë një në Kremlin – vendbanimin e presidentit Vladimir Putin në kryeqytet – në muajin maj.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti sulmin e së dielës “tentim sulmi terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan, duke u përplasur pastaj në kompleksin prestigjioz të biznesit në Moskë, Moskva-City.

Megjithëse zyrtarët ukrainas nuk morën përgjegjesi për sulme specifike, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se është “e pashmangshme” se “lufta” në Rusi do të ndodhë, pasi autoritetet ruse u detyruan ta mbyllin përkohësisht njërin prej katër aeroporteve më të mëdha në Moskë, pas sulmeve të 30 korrikut.

“Dalëngadalë, lufta po rikthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake. Dhe, kjo është e pashmangshme, e natyrshme dhe plotësisht e drejtë”, tha Zelensky gjatë një vizite në qytetin Ivano-Frankivsk më 30 korrik.

Zelensky i paralajmëroi ukrainasit, po ashtu, se ata duhet të jenë të gatshëm për sulme shtesë nga Rusia në infrastrukturën e vendit dhe të përgatiten tani për muajt e dimrit.

“Ukraina po forcohet”, tha ai. “Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, tamam sikur vitin e kaluar, terroristët rusë mund ta sulmojnë sektorin tonë të energjisë dhe objektet e rëndësishme këtë dimër”.

Rusia e ka nisur pushtimin e plotë dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ky ishte sulmi i pestë me dronë në kohët e fundit brenda territorit rus.



Skip to toolbar