Rezistenca e Voltanës: Tani rrezik pesë herë burg

AKTUALITET


Zgjedhjet e 30 qershorit u paraprinë nga tensione, të cilat kulmuan me sulmet ndaj KZAZ-ve në disa bashki të drejtuara nga përfaqësues të opozitës. Shkodra ishte pika më e nxehtë para ditës së procesit të votimit, ku për gati dy javë, kryebashkiakja Voltana Ademi urdhëroi pengimin e përdorimit të ambienteve publike në funksion të procesit zgjedhor. Gjithashtu, Voltana Ademi ka bërë dhe një kallëzim penal ndaj Policisë së Shkodrës, për hyrjen me forcë në ambientet publike të administruara nga kjo bashki. Megjithatë, Policia e Shkodrës nuk ka ndenjur duarkryq, pasi ka kallëzuar pesë herë penalisht Voltana Ademin për pengim të procesit zgjedhor. Ky është lajmi zyrtar që jep Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka publikuar një raport të martën në 2 korrik. Gjithashtu, një procedim penal është në ngarkim të një shtetasi, emri i të cilit jepet vetëm me inicialet Z.H.

Ndërkohë, në Prokurorinë e Laçit është regjistruar një procedim për veprën penale “Falsifikim i materialit zgjedhor dhe rezultatet të zgjedhjeve”. “Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë Kurbin. Sipas këtij referimi, shtetasi Edmond Piroli, kandidat për kryetar i Bashkisë Kurbin për subjektin  politik “Bindja  Demokratike”, në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019, pretendon se anëtarët e Komisionit të dy Qendrave të Votimit në fshatin Fushë-Kuqe, Kurbin kanë futur në kutitë e votimit fletë votimi dhe kanë nënshkruar në emër të votuesve, pa qenë prezent votuesit. Konkretisht, sipas kallëzuesit, në dy qendrat e votimit, nëambientin privat “Lokal i shtetasit Vasil Ulaj”, në Fushë-Kuqe, pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.


Në Fier është regjistruar një procedim penal për veprën “Pengim i subjekteve zgjedhore”, në ngarkim të shtetasve Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha. Në materialin e referuar nga policia gjyqësore e Komisariatit të Policisë Fier, pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarittë Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka regjistruar kallëzimin për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit O.O.  Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik.

Prokuroria e Përgjithshme informon se, përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media.




Skip to toolbar