“Ne do të lulëzojmë edhe ekonomikisht e kulturalisht”

KOSOVA


Dua Lipa

Qëndroj para jush si një fëmijë i Kosovës, që ka lindur dhe është rritur në Britani të Madhe, që sot jam këtu si një mysafire e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë vij nga një vend që shumë nga ju sigurisht keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si unë do ta përshkruaj tani. Dua të ndaj më ju pak nga Kosova ime. Kosovarëve iu pëlqejnë ndejat, gjë që nuk është për t’u befasuar ngase rreth 50% e popullatës sonë është nën moshën 25-vjeçare. Zyrtarisht unë jam e moshuar në Kosovë! Së fundi, kam dëgjuar një rrëfim për një turiste që vizitoi Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, e cila kishte mbetur zgjuar deri vonë nga një turmë njerëzish që po rrini në një lokal pranë hotelit ku qëndronte ajo. Mëngjesin e ardhshëm ajo pyeti në recepcion me ç‘rast u bë gjithë ajo ndejë dhe ata iu përgjigjën: “Ishte thjesht e HËNË”.


Prishtina ka një kulturë të mrekullueshme të kafesë. Harrojeni shprehjen që të merrni kafen me vete, vishuni bukur, zini një karrige dhe thjesht shikojeni botën teksa kalon. Është shumë europiane.

Për një vend të vogël, Kosova është e mbushur më njerëz kreativë dhe mund të them shumë shembuj, por sot disa prej tyre janë këtu. “Zgjoi”, një film më kastë të mrekullueshme që ka marrë tri çmimet më të mëdha këtë vit në “Sundance Film Festival”. Dhe, prisni të shihni suksesin e tij në “Oscars”. Prishtina, po ashtu, do të mbajë edhe Manifestën vitin e ardhshme që është një festival i kulturës dhe artit kontemporan. Dhe ne do të mund ta shohim qytetin të mbushur me artin publik me ekspozita dhe instilacione të ndryshme.

Dhe gazetar të mediave të mëdha spekulojnë se çfarë mund të ketë në ujin e Kosovës që po nxjerr kaq shumë artistë të suksesshëm në muzike. Krejt çka mund të them është na jepni një mundësi dhe ne do të shkëlqejmë.

Në vitin 2018 unë dhe babi im krijuam festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë dhe shumë shpejt ai u bë njëri nga festivalet më të mëdha të muzikës në regjion. Ka qenë një ëndërr e kamotshme e jona që të sjellim artistë të mëdhenjtë në Kosovë, jo vetëm që fansat e tyre të njihen me bendet e mëdha, por që edhe vetë këto bende të përjetojnë muzikën tonë të mrekullueshme dhe të shumëllojshme. Pjesa e dytë e ëndrrës sonë shumë shpejt do të bëhet realitet dhe unë nuk do të mund të isha kurrë më e ngazëllyer se sot që të ndaj më ju planet për fondacionin “Sunny Hill”.

Ne kemi nënshkruar një kontratë me kompaninë e njohur MOU për të krijuar qendrën kreative të “Sunny Hill” në Prishtinë dhe shpresojmë shumë që ajo do të fillojë të funksionojë verën e ardhshme. Do të jetë një hapësirë kreative ku të rinjtë do të mësojnë për industrinë e muzikës dhe për performanca. Për ata që duan të futen në këtë industri do të ketë punëtori të ndryshme dhe vizita të artistëve dhe producentëve nga e gjithë bota, të cilët do të tregojnë atë që kanë mësuar dhe për të tjerët qendra do të jetë një vend ku do të mësojnë të ngrenë vetëbesimin, të mësojnë gjëra të reja dhe me e rëndësishmja, të bëjnë qejf.

Koncerti i parë në të cilin kam shkuar ishte ai i bendit “Method Man and Redman”, ishte në Prishtinë dhe unë isha vetëm 13 vjeçe. Ishte pak e pazakontë, shumë cool dhe përfundimisht jo aq i përshtatshëm për moshën time. Por e vërtetë është së nuk kisha zgjedhje të tjera. Kosova është një treg i vogël që të bëhet pjesë e turneve të mëdha botërore. Andaj ne tani do t’i sjellim artistët në Kosovë. Dhe pa bërë asnjë përjashtim, të gjithë ata që i kemi ftuar për të performuar në festivalin “Sunny Hill” duke filluar nga Miley Cyrus e deri te Clavin Harris, të cilët janë mrekulluar me gjithë eksperiencën. Ata kanë deklaruar se eksperienca në Kosovë ka qenë ndër më të mirat duke qenë se energjia ka qenë shumë e mirë, audienca shumë e zëshme dhe mikpritja ishte shumë e ngrohtë. Performuesit më të mirë thonë se show-t që kanë këtë lloj energjie të mrekullueshme janë më të mirët. Dhe disi kjo gjithmonë ndodh në “Sunny Hill”.

Sidoqoftë, pamja mund edhe të mashtrojë, në shumë mënyra jeta në Kosovë është e vështirë. Dhe në mënyre të pamohueshme bart plagë të luftës. Edhe për ata që arritën t’i iknin luftës. Prindërit e mi u larguan nga Kosova në vitin 1992, në kohën kur situata po tensionohej dhe për fat të mirë ne arritëm të krijonim një jetë të mirë në Londër. Kishte vite të tëra që ata e dinin se nuk mund të ktheheshin në shtëpi, kjo sigurisht iu ka shkaktuar atyre shumë dhimbje, aq sa ne mund vetëm ta imagjinojmë. Ndonjëherë kur flas me prindërit e mi për atë kohë, ata mund të flasin për këtë temë me orë të tëra. Dhe nganjëherë thonë se e kanë ndjenjën sikur kanë 300 vjet jetë.

Për mua, të kem këtë identitet të dyfishtë realisht ka qenë shumë pozitive, jam gjithmonë e përkëdhelur me komentet e njerëzve duke më thirrur në atë që ata e quajnë etika e punës se një emigranteje dhe është e vërtetë, është një dhunti që është bartur nga brezi në brez për gjenerata të shumta.

Por edhe përkundër vendosmërisë dhe shpirti luftarak duhet kohë për t’u shëruar dhe për të nisur gjithçka nga fillimi.

Sot Kosova vazhdon edhe më tej të ballafaqohet me shumë sfida dhe janë pikërisht brezat e rinj ata të cilët vuajnë pasojat.

Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Europian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tri vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?!

Kosova është edhe shteti më i ri në Europë në një mënyrë tjetër. Janë vetëm 13 vjet të shkurtra në rrugëtimin tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë edhe ekonomikisht e kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit? Me këtë vizion në mendje unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës.

*Fjalimi pas çmimit në Këshillin e Atlantikut




Skip to toolbar