Shefi i sektorit të kufirit në policinë e Korçës, Stilian Pasho u arrestua nga agjencia e mbikqyrjes policore me akuzën se ka ndihmuar kalimin e një ngarkese me 26 kilogramë drogë e cila është kapur në Greqi. Burime për Report Tv, thanë se Kryekomisari ka shoqëruar Lorenco Likën për të kaluar mjetin tip “Passat” nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin në makinën ku ndodhej droga. Pak metra brenda tokës greke, ai ka dalë nga mjeti, duke u kthyer mbrapsht, pasi u sigurua se lënda narkotike dhe Lika kaluan pa pengesë në kufi.
Burime pranë AMP bëjnë me dije se në disa raste ky punonjës policie ka lëvizur edhe 1 vit më parë në mjet me Lorenco Likën, dhe një person tjetër, e provuar kjo edhe nga sistemi TIMS dhe kamerat e sigurisë. Nga deklarimet e punonjësve të PKK Kapshticë, ata kanë pranuar se kanë qenë të trysnuar nga kryekomisari për të mos kontrolluar mjetin. Zyrtari i policisë, akuzohet se duke shfrytëzuar pozicionin në polici, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundi në datë 27 nëntor ka favorizuar Lorenco Likën, në kalimin e kufirit pa iu nënshtruar kontrollit në automjet.
Pasho ka urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin ku pas bashkëpunimit me policinë greke u sekuestruan 26 kg lëndë narkotike e nisur nga Shqipëria. Më 28 nëntor policia greke njoftoi arrestimin e 36 vjeçarit për trafikim e 27- pakove me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 26 kilogramë.
Droga ishte transportuar në një shtëpi ndërkohë që nga hetimet, rezultoi se kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria më 27 nëntor 2023 në orët e mëngjesit. Automjeti i përdorur ishte përshtatur për fshehjen e pakove me drogë në depozitën e impiantit të gazit. Gjatë kontrollit, policia greke sekuestroi edhe 3 mijë euro dhe 3 telefona celularë. Ky operacion i AMP vjen vetëm pak ditë pas emërimit në krye të këtij institucioni të Florian Sulejmanit. Pastrimi i rradhëve të policisë pritet të jetë prioritet në vijim.