Tërmeti, Rama: Në mars nis ndërtimi i banesave të reja në Ishëm

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama vizitoi të martën disa familje të prekura nga tërmeti në Ishëm të Durrësit. Kreu i qeverisë u ndal te familjet që janë strehuar në çadra, pasi banesat e tyre u bën të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Rama u tha banorëve se “u jemi dhe do t`ju jemi pranë megjithë zemër e me të gjitha mundësitë tona”, ndërsa premtoi se banesat e reja do të ndërtohen shpejt.

“Mendoj që shtëpitë në fshat do i bëjmë relativisht shpejt. Unë besoj që për të qenë brenda vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë jashtë shtëpisë, dhe do i bëjmë më të mira sesa i keni. E keqja është si ta marrësh, se vërteta na zuri, por po të mos kishim pasur hotelet do të kishim ngelur… Në fshat me çadra, por dimëroret janë ok”.

“Nuk dua të flas shumë, por do ta bëjmë shpejt, nga marsi-prilli do të fillojë puna….janë shumë. Të ecë mbarë, që ta bëjë mbarë edhe për ju. E rëndësishme është që keni dalë shëndoshë e mirë. Por shtëpinë e re do ta kesh, që nuk do të krahasohet me këtë. E mira nuk ka fund, por më të gjatë se unë nuk keni…Viti i Ri tjetër nuk do u gjejë këtu”, tha Rama.

Ndërsa zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda u shpreh se në Ishëm janë rreth 2500 familje të prekura. Ajo tha se kjo zonë është nga më të goditurat nga tërmeti. “Në Ishëm janë 2500 familje, 9000 banorë, kjo ka qenë një ndër zonat më të prekura nga tërmeti, e gjitha zona thuajse është verifikuar, kemi shpërndarë gati 350 çadra, ka mbetur edhe 40, por do i plotësojmë”, tha Voda.



Skip to toolbar