Konferenca e Donatorëve/ BE-OKB-BB do hartojnë raportin me qeverinë

#NËRADAR


Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, me kërkesë të qeverisë shqiptare, janë përfshirë në procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti. Në një komunikatë zyrtare të Delegacionit të BE në Tiranë, mësohet se objektivi kryesor i këtij angazhimi është ndihma për qeverinë shqiptare për të vlerësuar ndikimin e tërmetit dhe për të përcaktuar një strategji të rimëkëmbjes, përfshirë vlerësimin e kostove financiare.

“Ekipet e specializuara, me ekspertë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, tashmë kanë filluar të punojnë së bashku me zyrtarët qeveritarë që nga 16 dhjetori për të rënë dakord mbi metodologjitë e mbledhjes së të dhënave. Ata aktualisht janë duke vlerësuar ndikimin në sektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit, turizmit dhe punësimit, në infrastrukturën e komunitetit. Sektorët ndërkufitar të makroekonomisë dhe varfërisë, mbrojtja sociale dhe mbrojtja civile, si dhe ulja e rrezikut nga katastrofat, janë shikuar me kujdes”, thuhet në deklaratën e BE.


“BE qëndroi pranë Shqipërisë që nga dita e parë pas tërmetit me dhembshuri dhe veprim. Ne jemi duke udhëhequr Vlerësimin e Nevojave të Pas katastrofës në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, i cili do të jetë baza e konferencës së donatorëve të udhëhequr nga BE që do të zhvillohet në fillim 2020”, tha ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.

“KB përmes shumë agjencive të saj – veçanërisht UNDP, UNICEF dhe OBSH, përfshirë agjensi të specializuara si UNESCO, FAO dhe Organizata Botërore e Turizmit, po kontribuojnë në këtë vlerësim të shpejtë për të ndihmuar Shqipërinë të rimarrë veten shpejt. Ndërtimi i kapaciteteve institucionale të Shqipërisë për të zvogëluar rrezikun dhe për të përmirësuar reagimin e ardhshëm ndaj katastrofave duhet të jetë një përparësi”, tha Koordinatori i Përhershëm i KB në Shqipëri, Brian J. Williams.

“Banka Botërore po punon ngushtë me qeverinë shqiptare, BE dhe OKB si pjesë e ekipit të PDNA”, tha Maryam Salim, menaxher Bankës Botërore për Shqipërinë. “Banka Botërore ka përgatitur një vlerësim të shpejtë të situatës duke përdorur metodologjinë globale të shpejtë të vlerësimit të dëmtimit pas katastrofës (GRADE), me mbështetje nga BE, e cila siguron vlerësimet fillestare të dëmeve ekonomike në sektorë dhe shpërndarjen hapësinore të tyre dhe do të futet në raportin e PDNA. Ne presim që PDNA të prodhojë një pasuri të të dhënave dhe një analizë të dëmeve dhe të rekomandojë veprime rimëkëmbje”.

PDNA do të përfundojë me një raport gjithëpërfshirës duke përfshirë një strategji të rimëkëmbjes që do të prezantohet nga Qeveria në Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.




Skip to toolbar