Negociata për të arritur marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit/ Franca, Gjermania dhe Italia: Dështimi do të ketë pasoja

KOSOVA


Dy ditë para takimit të 18 marsit në Ohër ku Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të ulën përsëri në tavolinën e bisedimeve për të negociuar planin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këshilltarët e tre liderëve evropianë, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, përmes një letre kanë thënë se qëllimi i takimit në Ohër nuk është të komplikojë atë që tashmë është rënë dakord, por më tepër të inkurajojë hapa konkret drejtë realizimit të saj.

“Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të riinterpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke e bërë këtë ata do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin të bllokonin rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet fillimisht në letër e Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo,


Kosova, thuhet në letër, duhet të përmbushë premtimin e saj për mbrojtjen e komunitetit serb, duke marrë masa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe duke ofruar garanci për një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Serbia në anën tjetër, vazhdon letra, duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një vend fqinj që ka perspektivën e saj evropiane dhe vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.

“Koha nuk është në anën tonë. Dhe më e rëndësishmja, moti nuk është në favor të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jemi në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për imperativat e momentit të caktuar. Dështimi do të kishte pasoja”, kanë shkruar Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo.

“Marrëveshja kërkon mençuri dhe cilësi udhëheqëse nga të dyja palët, si dhe qasje të përgjegjshme të të gjithë aktorëve politikë në Serbi dhe Kosovë. Tani është koha e duhur! Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ju premtojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, vazhdon letra.

Këshilltarët e tre liderëve evropian kanë treguar edhe arsyen pse është kaq e rëndësishme për Union arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

“Arsyeja është se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, si dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, është në BE-në dhe ne duam t’ju mbështesim sa më fort që të jetë e mundur në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në Union”.

Përshkallëzimi i situatës në terren destabiliteti i sigurisë në Kosovë, thuhet ndër të tjera në letër, duhet të marrë fund.

“Duhet të marrë fund sepse me të drejtë qytetarët e Evropës pyesin se si Serbia dhe Kosova do të ulen ndonjëherë në të njëjtën tryezë në Bruksel si miq dhe partnerë kur janë anëtarë të Bashkimit Evropian? Si mund t’i bindim qytetarët tanë se ofrimi i mbështetjes për Serbinë dhe Kosovën është një ide e mirë?”.

“Kjo situatë duhet të marrë fund sepse investitorët nga vendet tona ndjekin lajmet dhe pyesin veten nëse ia vlen të investohet në këtë rajon. Çfarë duhet t’u themi atyre nëse flakët e një konflikti të ri tashmë po digjen?”

“Por, mbi të gjitha kjo situatë duhet të marrë fund sepse qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë.

Një e ardhme në të cilën do të kapërcehen përfundimisht mosmarrëveshjet që paralizojnë të dy vendet. Kjo e ardhme hap rrugën për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimin rajonal dhe një treg të vetëm.

Dhe kjo e ardhme, në fund, i hap rrugën realizimit të premtimit të dhënë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor , që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë, sapo të plotësojnë kriteret. Mundësia për të nisur atë të ardhme është tani”, përfundon letra.




Skip to toolbar