Negociatat, ambasadori italian në zyrën e Bashës, një ditë pas protestës

AKTUALITET


Ambasadori italian, Alberto Cutillo mësohet se ka zhvilluar të shtunën një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Ky takim vjen një ditë pas protestës paqësore të PD-së. Por pavarësisht se protesta ishte paqësore Basha ishte agresiv në fjalën e tij duke bërë thirrje që beteja të vazhdojë dhe duke mos pranuar negociata me Ramën kryeministër.

Mendohet se ky takim i ambasadorit është në vazhdën e negociatave që pothuajse të gjithë ndërkombëtarët kanë ndërmarrë në vend për zgjidhjen e krizës, pavarësisht se takimet po zhvillohen larg syrit publik.

Ambasadori italian, Cutillo ka qenë në të njejtën linjë qëndrimi me ndërkombëtarët e tjerë. Ai ka bërë thirrje për protesta paqësore, distancim nga dhuna dhe ulje për dialog mes palëve.

“Ambasada e Italisë në Tiranë shpreh shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të Vendit. Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurtë, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë përshkallëzimi gjatë protestave. Përdorimi i lëndëve shpërthyese apo çfarëdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm. U bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave”, shkruhet në deklaratën e ambasadës italiane para protestës.



Skip to toolbar