Shqipëria “përçan” BE

Një lajm i shpërndarë nga Reuters dhe më pas marrë nga Euronews, njofton se Franca është kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian tani për tani. “Franca u tha vendeve anëtare të Bashkimit Europian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për Reuters”, shkruan Euronews, duke cituar Reuters që bisedoi me një diplomat, që mbetet anonim.

Në shkrim thuhet se “më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet e Ballkanit për reformat duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit. Ata parlajmërojnë, se Rusia, Kina ose Turqia do të përfitojnë nga një “vakum strategjik” në rajonin e trazuar, nëse BE nuk arrin të mbajë një perspektivë të prekshme për këto vende”.

Më tej, thuhet se “Franca thotë se BE duhet të reformohet nga brenda së pari për të përballuar me forcë dhe unitet sfida si ndryshimi i klimës dhe migracionit, ndërsa dy vendet kandidate duhet të kryejnë reforma të mëtejshme përpara se të fillojnë bisedimet”. “Ata nuk janë ende gati. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë”, është shprehur një zyrtar francez për Reuters, citon Euronews. “Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojmë situatën diku në vitin 2020”, mësohet të jetë shprehur zyrtari francez.

Ndërkohë, një diplomat i një vendi që është gati të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut, tregon se nëse negociatat nuk do të hapen, besueshmëria e BE-së vihet në diskutim. “Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen”, citon Reuters, diplomatin e vendit që është gati t`i thotë “po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Takimi Rama-Mogherini: Rezultatet e reformave të prekshme

Kryeministri Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Bruksel, është pritur në takim nga shefja e politikës së Jashtme, Frederica Mogherini. Ka qenë vetë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, e cila përmes një postimi në Twitter tha se në takim u diskutua për rekomandimin e KE ku vlerëson rezultatet e prekshme të reformave, në veçanti ajo e reformës në drejtësi.

“Frederica Mogherini mirëpret në takim Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Bruksel, pas rekomandimit të Komisionit Europian për të hapur negociatat, duke pranuar rezultate të prekshme reformash, në veçanti me reformën e drejtësisë.”

Rama pritet që të takohet edhe me kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidentin e KE, Jean-Claude Juncer, ku përveç kërkesës për hapjen e negociatave për Shqipërinë edhe kriza politike pritet të jetë pjesë e bisedimeve mes Ramës dhe krerëve të BE-së.

“KE fuqimisht dënon çdo thirrje për dhunë. Kërkesa e Holandës për vizat do shqyrtohet me kujdes”

Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç ka folur të hënën në një konferencë për shtyp në Bruksel në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri, ku edhe njëherë theksoi se Komisioni Europian dënon dhunën në protesta dhe se dialogu politik duhet të zhvillohet në parlament.

“Ne kemi ndjekur zhvillimet atje dhe kemi reaguar dhe kemi publikuar javën e kaluar progres-raportin. Kemi thënë në të kaluarën në shumë raste se ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar si e drejtë demokratike dhe esenciale, por KE fuqimisht dënon çdo thirrje për dhunë. Kjo është diçka që duhet respektuar në të gjitha rastet. Dhe së dyti ne mbështesim zhvillimin e dialogut në parlament. Më shumë detaje janë shkruar në progres raportin për Shqipërinë, të cilën e bëri publik komisionari Hahn javën e kaluar dhe tani është në dorën e Këshillit për të marrë hapa të mëtejshëm”, tha Koçijançiç.

Ndërsa zëdhënësja tjetër e BE-së dha informacion në lidhje me kërkesën e Holandës për vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë. Ajo tha se KE ka marrë kërkesën e Holandës dhe se tani i duhet 1 muaj për të përgatitur një akt raport për të vënë në dijeni Këshillin dhe Parlamentin e Europës. Zëdhënësja tha se kërkesa e Holandës do të shqyrtohet me shumë kujdes dhe se ky nuk është një vendim që do të merret lehtë.

“Po, ne konfirmojmë se KE ka marrë kërkesën e Holandës. KE do të shqyrtojë me kujdes kërkesën bazuar në rregullat dhe procedurat e qarta. Hapi tjetër është që do të informohet Këshilli i Europës dhe Parlamenti. Sigurisht që vendimi për pezullimin e regjimit të vizave nuk është një vendim që do të merret lehtë, por do të shqyrtohet me shumë kujdes.

Bazuar në rregullat dhe procedurat Komisioni Europian duhet të hartojë  një akt informues brenda 1 muaji”, tha zëdhënësja.

Skip to toolbar